Nihat Bakalli, kryetari i PBKD-së në diasporë
Një nga figurat e njohura të diasporës shqiptare, Nihat Bakalli, ka vendosur të japë një kontribut politik, duke u bërë kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat në diasporë. “Duhet ta ringremë Ballin me çdo kusht. Është detyrimi ynë deri ditën e fundit, por edhe i brezit të ri që të marrë stafetën, që të luftojmë për të mirën e Shqipërisë dhe kjo e mirë do të vijë nga implementimi i idealeve të Ballit”, - tha Nihat Bakalli dje në Shkodër në mbledhjen e kryesisë së kësaj force politike. “Njëzet vjet pas rënies së diktaturës po e shikojmë gjithnjë e më tepër që komunizmi vazhdon të rrijë këmbëkryq në Shqipëri. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë, ne duhet të luftojmë. PBKD-ja është mekanizmi më koherent për të realizuar idealet e të parëve tanë dhe tonat, të cilat janë në interesin e të gjithëve shqiptarëve”, - tha kryetari i PBKD-së, Artur Roshi. “Komunistët e sotëm nuk dallojnë nga paraardhësit e tyre, pavarësisht se jetojmë në një shoqëri të lirë”, -tha Agim Bardhi, kryetari i Këshillit Kombëtar të PBKD-së. “Prindërit e tyre i vodhën pronat e shqiptarëve duke i shtetëzuar, ndërsa komunistët e rinj i vodhën për herë të dytë, duke i privatizuar për vete”. “Kjo mbledhje, - tha zoti Roshi, - është vazhdim Ii disa mbledhjeve që kemi bërë nëpër gjithë Shqipërinë. Pjesa e më e madhe e themeluesve dhe veteranëve të Ballit i kanë ofruar mbështetje pa rezerva Ballit Demokrat”.