E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta fton serbët pa viza në Shqipëri

BEOGRAD-Edhe pse historike vizita e Metës në Serbi, dy çështje mbetën pezull në takimet zyrtare. Kosova, dhe trafikimi i organeve nga Shqipëria, akuzë e Beogradit ndaj Tiranës. Ajo që bie në sy nga deklarata e djeshme e zv.kryeministrit Ilir Meta është fakti se në asnjë rast gjatë takimeve, shefi i diplomacisë shqiptare nuk ka përmendur akuzat e herëpashershme të Beogradit për trafikun e organeve nga Shqipëria. Akuzat janë bërë publike në një libër të ish prokurores së Hagës Carla Del Ponte, ndërkaq, një mision i OKB i mbërritur disa ditë më parë në Tiranë, shprehu shqetësim për mungesën e bashkëpunimit të organeve kompetente të Shqipërisë për lejimin e hetimit të kësaj çështjeje. Por ndërkaq, për këtë, në takimet e djeshme zyrtare, nuk është folur asnjë fjalë, sipas zëdhënësit të ministrit të Jashtëm, Ralf Gjoni.
Kosova
Shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiç tha dje se për çështjen e Kosovës ‘ekziston një hendek i madh mes dy vendeve dhe po ashtu, kanë qëndrime të ndryshme”. “Kjo çështje mbetet, sipas tij, hendek edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë”.
“Në çështjen e Kosovës, qeveritë kanë dy pozicione krejt të ndryshme. Por, nga ana tjetër, ne ramë dakord që e ardhmja e gjithë rajonit është në BE, pa lënë njeri pas”, tha Meta. “Lidhur me kërkesës serbe për një pakicë serbe në Shqipëri, qëndrimi i Qeverisë sime është shumë i qartë: kjo çështje do të marrë drejtim pas regjistrimit të ri, i cili do të jetë shumë transparent dhe në bazë të standarteve të BE”, tha Meta. Ministri i jashtëm shqiptar Meta ftoi qytetarët serbë të hyjnë pa viza në Shqipëri. Ai tha se shpreson që një rregjim pa viza të zbatohet reciprokisht për qytetarët e dy vendeve. “Ju ftoj të vizitoni vendin tim të bukur që gjatë kësaj vere” tha zv.kryeministri shqiptar.
Takimet
Takimin e parë, të tij, në Beograd, Meta e ka zhvilluar me Presidentin Boris Tadiç. Presidenti serb Boris Tadiç tha se, Shqipëria përbën një interes për investitorët serbë. Tadiç, premtoi se do të bëhet më shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Meta vuri në dukje edhe gjatë deklaratës se në të gjitha takimet ka diskutuar për “një epokë të re në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë”. “Unë e konsideroj si një moment historik për stabilitetin në rajon, një bashkëpunim të përmirësuar në të gjitha fushat me interes të përbashkët për të mirën e të dy vendeve”, u shpreh Meta.
Vizita te varri i Xhinxhiç
Ministri i jashtëm shqiptar, Ilir Meta vlerësoi dje, figurën e ish-kryeministrit të vrarë serb, Zoran Xhinxhiç. I shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, bashkë me bashkëshorten e ish-kryeministrit serb Ruzhica Xhinxhiç, Meta bëri homazhe, të cilat përkojnë edhe me 7 vjetorin e vrasjes. “z.Xhinxhiç, pa asnjë diskutim që mbetet një frymëzim jo vetëm për demokratët dhe forcat progresiste e pro evropiane në Serbi, por në të gjithë rajonin tonë, pasi falë vizionit të tij, falë kuarajos së tij të jashtëzakonshme, Serbia është në një stad të ri të integrimit evropian dhe të gjithë proçesit të integrimit në komunitetin ndërkombëtar”, u shpreh dje, ministri Meta. “Falë këtij vizioni dhe kurajoje, edhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë përparuar, ndoshta jo aq sa do dëshironin shumë si unë. Por shpreh besimin se akoma më shumë, këto marrëdhënie do të shënojnë progres dhe do të jenë solide, sepse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme për perspektivën e rajonit tonë, për përshpejtimin e integrimit të tij evropian”, theksoi Meta, pas homazheve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›