E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje të dhunshme në Athinë mes policisë e protestuesve

ATHINE- Përleshje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve në zemër të Athinës. Dhuna nisi pas një proteste paqësore kundër masave të qeverisë Papandreu të cilat kanë synim të reduktojnë deficitin buxhetor. Mijëra vetë merrnin pjesë në protestën paqësore, por më pas rreth 200 të rinj nisën të hidhnin mjete të forta , si gurë e shkopinj ndaj policisë. Përleshjet u ndezën para Parlamentit grek dhe më pas para Universitetit të Athinës. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Dhjetëra vetë janë arrestuar, ndërkohë që nuk flitet për të plagosur. Qendra e Athinës është kthyer tashmë në arenë përleshjesh të shpeshta në dy vitet e fundit, që pas vrasjes së një adoleshenti nga policia në dhjetor 2008.
Kriza e fundit e deficitit buxhetor ka rikthyer dhunën në Greqi. Protesta e sotme nisi në kuadrin e grevës 24 orëshe të punonjësve të sektorit publik e privat që kundërshton masat e qeverisë Papandreu për të rritur taksat dhe për të ulur mjaft përfitime ekonomike për punonjësit. Një grup protestuesish prej 30 vetësh që mbanin maska në fytyre dhe parrulla të ndryshme antiqeveri kanë sulmuar një postë policore jashtë parlamentit grek.

Më pas policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Një bombë u artizanale u hodh ndaj policisë. Protestat u zhvendosen para Universitetit të kryeqytetit, ku u arrestuan dhjetëra vetë. Rreth 1500 policë u dislokuan në Athinë për të ndalur revoltat e protestuesve në ditën e grevës kombëtare 24 orëshe.
Sindikatat e punëtorëve të sektorit publik dhe privat protestuan kundër masave ekonomike të Papandreut të cilat kanë synim të reduktojnë deficitin buxhetor. Sipas sindikatave plani i qeverisë kërcënon seriozisht buxhetin e cdo familjeje greke. Plani në fjalë përfshin ngrirje pagash dhe rritje taksash. Sondazhet thonë se shumica e grekëve e mbështesin planin e qeverisë së Athinës.
BE kërkon reforma të shpejta dhe rezultate konkrete, në mënyrë që Greqia të arrijë të reduktojë këtë vit deficitin buxhetor nga 12.7 % në 8.7 %.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›