Meta i sigurt për fitoren e LSI në Lushnje
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një miting madhështor në qytetin e Lushnjës, ku mbi 10 mijë veta të mbledhur në sheshin kryesor të qytetit, kanë vulosur fitoren e padiskutueshme të kësaj force politike, jo vetëm në Lushnjë, por në të gjithë Shqipërinë. Në fjalën e tij, kreu i LSI-së, Meta është shprehur entuziast për këtë takim të jashtëzakonshëm, të cilin e ka quajtur mitingun e fitores jo vetëm në këtë qytetet, por në të gjithë qarkun e Fierit, në 28 Qershor.
Kemi kaq shumë qytetarë dhe banorë të Lushnjës në përkrahje të LSI-së dhe mendoj se përgjigja më e mirë është plani i LSI-së, pikërisht programi më i mirë madje dhe i vetmi që ekziston sot, theksoi Meta. Sipas tij, programi i LSI është për të gjithë lushnjarët dhe shqiptarët për të nxjerrë bujqësinë nga kriza, për të futur bujqësinë në rrugën e zhvillimit, modernizimit të prodhimit dhe konkurrimit të gjithë atyre që jetojnë me këtë aktivitet.Meta veçoi faktin se rilindja e bujqësisë në kushte të reja, dalja e bujqësisë nga kriza përmes Planit për Veprim, fillon nga Myzeqeja. Shqipëria do të ecë përpara me Planin për Veprim, i cili i përkushtohet zhvillimit të bujqësisë dhe industrisë agro-përpunuese, turizmit dhe atyre që janë resurse reale të Shqipërisë, nënvizoi Meta në fjalën e tij. Kreu i LSI theksoi ndër të tjera, se përmes Planit për veprim kjo forcë politike synon që të realizojë investime për bujqësinë duke bërë të mundur punësimin e 50 mijë shqiptarëve, në sektorin e bujqësisë dhe në agro-përpunim. Ai premtoi se LSI do të bëjë të mundur që Shqipëria pas katër vitesh të importojë 400 milionë euro më pak, gjë që do të thotë 400 milionë euro më shumë prodhim vendas për fermerët e Lushnjës dhe në të gjithë Shqipërinë. Lushnja dhe lushnjarët nuk pranojnë më të keqpërdoren dhe të çojnë në parlament, deputetë që nuk kanë asnjë respekt për këtë popull të mrekullueshëm, deputetë që ndërrojnë zona, nga Lushnja në Gjirokastër dhe nga Gjirokastra në Lushnje. Jo, nuk është ky morali ynë. Lushnja do të votojë kandidatët e LSI, sepse në krye të listës së këtyre kandidatëve për qarkun e Fierit, ndodhet Dritan Prifti, përfundoi kreu i LSI-së.