Meta inspekton rrugën Durrës-Kukës: Akuzat për korrupsion? Këtu ndodhem si politikan
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga drejtues të lartë të kësaj partie inspektoi punimet në rrugën Durrës-Kukës dhe tha se kjo ishte një nga ditët më të bukura të jetës së tij. Sipas tij, kjo rrugë realizon ëndrrën e shqiptarëve. “Sot është një nga ditët më të bukura të jetës sime, për arsye se së bashku dhe me shumë kolegë të tjerë jemi dëshmitarë të një vepre madhështore të ëndërruar nga të gjithë shqiptarët dhe brezat e sotëm dhe brezi ynë janë fatlumë, sepse në gati një dekadë shqiptarët kanë bërë realitet dy ëndrra, të cilat janë pikërisht liria e Kosovës, si dhe tashmë edhe kjo vepër gjigante, madhështore, e cila bashkon Shqipërinë me Kosovën, bashkon shqiptarët dhe i integron ata me njëri-tjetrin, por do të bashkojë shqiptarët me të gjithë popujt e Ballkanit duke realizuar kështu një ëndërr për integrimin ndërmjet shqiptarëve dhe duke dhënë një kontribut për vetë integrimin e Ballkanit. Është një vepër e standardeve të papara deri tani në Shqipëri. Është një vepër e standardeve më të avancuara evropiane dhe pa dyshim është një ogur shumë i mirë edhe për të ardhmen evropiane, edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën, si dhe të vetë Ballkanit”, - tha Meta.
Duke folur në lidhje me akuzat për korrupsion në këtë rrugë që ka ngritur tashmë prokuroria, Meta tha se ai vinte aty si politikan dhe jo si njeri i drejtësisë. “Korrupsioni është një fenomen tepër shqetësues dhe për fat të keq edhe gjithëpërfshirës. Që do të thotë se korrupsioni ndihet në të gjithë sektorët e jetës ekonomike në vend dhe padyshim qeveria ka edhe përgjegjësinë e vet për të gjitha procedurat do të thosha, të nxituara apo jokorrekte. Por unë nuk jam këtu si ekspert i prokurorisë apo i gjykatës. Sepse unë besoj te drejtësia e pavarur për çdo problem që ka çdo pushtetar, politikan apo zyrtar me ligjin. Unë jam këtu si politikan. Unë jam këtu si lider i një lëvizjeje për integrim, për integrim brenda shqiptarëve, për integrim midis shqiptarëve, për integrim të Ballkanit dhe për integrim evropian të të gjithëve ne, shqiptarëve dhe ballkanasve. Duhet të kuptojmë që kjo është vepër e të gjithë shqiptarëve”, - tha Meta.
Ai deklaroi se, nëse rruga nuk përfundon brenda afateve, kur LSI të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të qershorit, do e përfundojë atë. “Kjo rrugë do të jetojë shumë më tepër sesa Ilir Meta, Edi Rama apo Sali Berisha apo Lulzim Basha. Kjo është një rrugë, për të cilën shqiptarët paguajnë çdo ditë nëpërmjet taksave të tyre. Kjo është një rrugë, që duhet të vihet në shërbim të tyre. Ndaj ne angazhohemi që në rast se kjo rrugë nuk përfundon deri më 28 qershor, dhe ne dëshirojmë të përfundojë, jemi këtu të shprehim angazhimin tonë që kjo rrugë në qeverisjen e ardhshme të përfundojë sa më shpejt, sepse i gjithë ky investim, i gjithë ky shfrytëzim që është bërë duhet të kthehet në mirëqenie për të gjithë shqiptarët dhe Ballkanin.”