Pse po buzëqesh ky njeri?
Barack Obama e ndien se gjendet në mes të një uragani, erërat e fuqishme të të cilit mund ta kthejnë historinë në drejtimin e tij. Atë nuk e pengon të pranojë se është duke mësuar rrugës dhe nuk është i hidhur, për shkak të ndihmës së vogël që po merr nga republikanët. Por, ai kurrë më nuk do të lejojë dy-partishmërinë që të bëhet test i suksesit të tij.
Ai është i vetëdijshëm që miratimi i paketës së tij stimuluese, edhe pse një çështje e madhe në vetëm tri javë të presidencës, është vetëm fillimi i pjesës “me të vërtetë të vështirë”. Hapi tjetër, “që kredia të lëvizë sërish” dhe mënjanimi i “një katastrofe potenciale në sistemin bankar”, mund të bëjnë që beteja e stimuluesit të duket vetëm si lojë sa për t'u nxehur.
Presidenti i ofroi mendimet e veta një grupi gazetarësh, të cilët i thirri që ta shoqëronin të premten në Air Force One gjatë vizitës së tij të parë në shtëpi që kur u bë president. Ai po shkonte për në perëndim, ndërsa stimuluesi po i afrohej miratimit të fundit në Kongres dhe ta përshkruash si të relaksuar do të ishte si një përsëritje e klisheve të presidencës së tij të shkurtër. Më e habitshme ishte ndjenja e tij se fati i ka dhënë mundësi që shumë pak presidentëve u vijnë dhe se testi i tij do të jetë, nëse ai e përdor mirë shansin e tij, që ta ndryshojë historinë në njërën nga “pikat e saj të lakimit.” “Lidershipi në këtë moment mund të ndihmojë në përcaktimin e drejtimit që do të marrë vala e ndryshimit, - tha ai. - Mendoj se është shumë vështirë . . . për një individ apo politikan të vetëm që të çlirojë vrullin historik. Por, mendoj se, kur kjo valë historike është këtu, mendoj se mund të ndihmosh e të udhëzosh.”
I pyetur nëse ky ishte njëri nga ato momente, ai u përgjigj, zvargët: “Po.” Kjo mund ta bëjë situatën “të frikshme ngandonjëherë”, por gjithashtu duhet “t’i bëjë njerëzit të vendosur dhe të ngjallur.” Ndoshta kjo e shpjegon gatishmërinë e tij të mirë.
Mirëpo, qëllimi i Obamës të premten nuk ishte të luante filozofin e historisë, por të theksonte përkushtimin e tij ndaj pragmatizmit rusveltian. “Ne do të bëjmë atë që funksionon”, - tha ai, duke e përsëritur refrenin e administratës së tij. Kjo “do të kërkojë rivlerësim” dhe “pak eksperimentim, nëse kjo nuk funksionon, atëherë bën diçka tjetër.”
Ajo që qartazi nuk funksionoi mirë ishte përpjekja e sekretarit të Thesarit, Tim Geithner, javën e kaluar që të shtronte planin e administratës për shpëtimin e bankave. Obama nuk ofroi kërkim për falje. Ai argumentoi se Geithner do të vazhdojë të punojë mbi një qasje gjatë “javëve, muajve që vijnë, me siguri gjer në fund të vitit”, sepse këtu nuk ka “rregullim të shpejtë e pa dhimbje.” Obama është i qartë se ai nuk dëshiron të përcjellë modelin e ngadalshëm të Japonisë për shpëtimin e bankave në vitet e ‘90, gjë e cila “i shkoi problemit disi anash, kurrë nuk e goditi qendrën.”
Ai nuk është i gatshëm të shkojë në rrugën e Suedisë të shtetëzimit të përkohshëm të bankave. “Mund të bëni argumentim të mirë për modelin suedez, përveçse për këtë fakt: ata kishin vetëm një grusht bankash”, - tha ai. “Ne kemi me mijëra banka. Shkalla, madhësia e asaj me të cilën kemi të bëjmë ne këtu është shumë më e madhe.”
Mirëpo, në vijën prej Japonisë e te Suedia, Obama qartazi është më afër Suedisë dhe ai refuzoi të përjashtojë qasjen suedeze. “Mendoj se ajo që mund të thoni është se nuk do të lejoj shembjen e sistemit financiar”, - tha ai. Ka shumë akte të tilla baraspeshuese në botën e Obamës. Ai e di se duhet të shpenzojë shumë pará tani, por insiston se dëshiron të “rregullojë ngadalë deficitin tonë afatgjatë të buxhetit.” Ai dëshiron të “rrotullojë rrotat” e reformave mbi shëndetësinë, sepse, gjersa “do të mund të kushtonte pará në fillim” kjo mund “të kursejë shumë pará në fund.”
Dhe ku hyjnë republikanët në tërë këtë? Obama ende mendon se do të fitojë përkrahjen e tyre ndonjë ditë mbi disa çështje. Për shkak se stimuluesi parashikoi një rol të madh të qeverisë në shpëtimin e ekonomisë, tha ai, mund të ketë “tepruar” ndarjen partiake, sepse luajti mbi “dallimet thelbësore në mes demokratëve dhe republikanëve.” Por, ai është i vetëdijshëm që disa republikanë mendojnë se mund të fitojnë “përparësi politike”, nëse ata mund të “imponojnë konformistët” përbrenda rangjeve të tyre dhe me këtë të “ripërtërijnë” bazën e tyre.
Ai nuk deshi të gjykojë, nëse kjo strategji do të funksionojë për republikanët, por presidenti Obama, në version pakëz më të zbutur që nga dita e inaugurimit, nuk e pati problem të shpjegojë se si e ka prekur qasja e tyre. “E dini, unë jam një optimist i përjetshëm, - tha ai. - Kjo nuk do të thotë se jam një trap.”
Ndoshta ajo qetësia misterioze për të cilën flasin njerëzit, reflekton temperamentin e një njeriu, i cili mund të jetojë me gabimet e veta, gjersa nuk i përsërit ato.