E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta ish-kryeministër - çelësi i garës

20/03/2009  LSI fushatë elektorale si Obama. Nis bashkëpunimi me amerikanët

Lëvizja Socialiste për Integrim nisi bashkëpunimin për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit me kompaninë amerikane “Greenberg Quinlan Rosner”. Kështu, kreu i LSI-së Ilir Meta dhe zëvendëspresidenti i kompanisë së njohur amerikane “Greenberg Quinlan Rosner” gjatë një konference të përbashkët për shtyp dhanë disa detaje mbi të cilat do të përqendrohet fushata elektorale e kësaj partie. “Ne sigurisht jemi shumë të shqetësuar për standardet e zgjedhjeve, ndaj një nga drejtimet e bashkëpunimit tonë do të jetë pikërisht bashkëpunimi për të mbrojtur standardin e zgjedhjeve të ardhshme, që është rrezikuar seriozisht nga mungesa e vullnetit politik të të dyja palëve, dhe në veçanti nga mazhoranca, për të garantuar zgjedhje vërtet të ndershme, të lira dhe të barabarta, sipas standardeve ndërkombëtare”, - u shpreh Meta gjatë fjalës së tij. Por ndërkohë kreu i LSI-së bëri me dije dhe çelësin e kësaj. “Mendoj se situata ekonomike në të cilën ndodhet vendi kërkon një përqendrim të plotë në çështjet ekonomike dhe në alternativat për zgjidhjen e tyre. Në këtë drejtim, besoj se edhe eksperienca ime dyvjeçare si kryeministër në një periudhë postkrize dhe me shumë probleme të mëdha ekonomike dhe sociale pa dyshim është një shembull se si vendi në një kohë shumë të shkurtër kaloi drejtë një stabiliteti dhe u përgatit për procesin e Stabilizim-Asocimit dhe përjetoi një rritje të jashtëzakonshme ndryshimesh”, - nënvizoi Meta lidhur me këtë çështje. Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i kompanisë amerikane “Greenberg Quinlan Rosner” Mark Feierstein, referuar arsyeve që sollën këtë bashkëpunim, vuri në dukje se “po të shohim këto zgjedhje, se çfarë Shqipëria ka nevojë, duket që zoti Meta e di këtë rëndësi dhe ajo ç’ka nevojitet tani është dikush që është testuar më parë si lider, që ka eksperiencë në nivel kombëtar, që di se si të punojë për zgjidhjen e krizës ekonomike dhe që e bën këtë në një mënyrë duke pasur parasysh të gjitha nevojat e njerëzve të varfër”, u shpreh Feierstein. Sipas tij, problemi është jo vetëm zgjerimi i partisë, por në një mënyrë që të jetë e pranueshme nga të gjithë shqiptarët.

Kompania amerikane

“Greenberg Quinlan Rosner” është kompania që ka bërë fushatën e liderëve të majtë progresistë në botë, si të ish-presidentit Klinton, ish-kryeministrit të Britanisë Bler, të kancelarit të Austrisë Gusenbauer dhe të Mandelës. “Zëvendëspresidenti i ‘Greenberg’, zoti Feierstein, ka këshilluar kandidatë dhe forca progresiste në SHBA, Evropë dhe në Amerikën Latine. Ka qenë dhe në fushatën e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesë e Komitetit të Financës dhe të ekipit të politikës së jashtme të kandidatit për president atëherë dhe sot President i SHBA-ve, zotit Obama. Njëkohësisht ka eksperiencë shumë të gjerë në monitorimin e zgjedhjeve dhe në parandalimin e manipulimeve të zgjedhjeve në shumë vende të ndryshme në botë”, - vuri në dukje kreu i LSI-së për këtë kompani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›