Meta kandidat zyrtar per kreun e LSI-se

Ilir Meta ka depozituar kandidaturën e tij kreun e LSI-së, parti të cilën ai e drejton që nga viti 2003 kur u shkëput nga radhët e Partisë Socialiste. Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili bëri me dije se Komiteti Organizator ka administruar dokumentacionin e depozituar nga kreu aktual i LSI-së ndërsa bëri me dije se procesi i për regjistrimin e kandidaturave përfundon në 20 shtator. Sipas tij, muaji tetor do të jetë muaj zgjedhjesh në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në emër të LSI-së, Petrit Vasili bëri të ditur se kreu aktual, Ilir Meta është zyrtarisht kandidat për kryetar i LSI-së në zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që u bëri thirrje të gjithë atyre që duan të kandidojnë për këtë post, të depozitojnë kandidaturat brenda afateve.
“Komiteti Organizator i partisë ka pranuar dhe ka marrë në shqyrtim iniciativën e Kryetarit aktual, Ilir Meta për të rikandiduar në krye të LSI-së, në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen më 28 tetor. Procesi i pranimit të kandidaturave të tjera është i hapur deri më 20 shtator.”- u shpreh Vasili në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së.
Vasili bëri të ditur se Konventa e LSI-së do të zhvillohet më 27 tetor, ndërsa theksoi se proceset organizative në të gjithë vendin kanë ecur shumë mirë.