Meta, karshillëk Ramës, tubim më 26 prill
Më 26 prill rreth 5 mijë të rinj nga i gjithë vendi do të mblidhen në Pallatin e Kongreseve për të mbështetur proceset integruese në të cilat po ecën vendi. Kështu pohoi dje kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Beratit. Deklarata e Metës vjen një ditë pas vendimit të socialistëve për të nisur protestat në të gjithë vendin. Por ndërkohë që Rama deklaron protesta për hallet e shqiptarëve, siç i quan ai, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike deklarojnë tubime në mbështetje të proceseve integruese të vendit. Tubimi i të rinjve të LSI-së i paraprin atij të 30 prillit të deklaruar nga socialistët, ndërkohë që demokratët do të dalin në tubim më 1 maj. Deklaratat e kreut të LSI-së u bënë gjatë një takimi që zhvilloi dje në qytetin e Beratit. Sipas Metës, LSI-ja duke ndjerë me përgjegjësi maksimale këtë moment të rëndësishëm ku ndodhet vendi, është e angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj dhe përfaqësuesit e saj, pikërisht për tu investuar tërësisht për suksesin e këtij procesi historik për vendin dhe qytetarët shqiptarë. Ashtu sikurse kemi treguar dhe po tregojmë çdo ditë se jemi forcë e re politike me një angazhim të përhershëm, për të mbyllur hendekun dhe konfliktualitetin politik, për të sjellë një etikë të re në diskursin politik në vend, sepse është dhe një kontribut për modelin që politika ka për detyre ti paraqesë rinisë, - tha ai. Duke e vënë theksin tek procesi i integrimit, Meta u shpreh se LRI-ja do të fillojë një tur takimesh në të gjithë vendin, për të trajtuar me të rinjtë çështjen e integrimit të vendit. Ndaj kreu i LSI-së deklaroi se më 26 prill do të organizohet një takim i madh mes të gjithë të rinjtë e kësaj partie. Takimi do të organizohet në Pallatin e Kongreseve, ku parashikohet që në këtë takim të marrin pesë mbi 5 mijë të rinj, - tha ai, ndërsa shtoi se ky takim i madh do të jetë një tubim për integrimin e vendit. Duke u ndalur në rolin që ka LSI-ja në skenën politike dhe qeverisjen e vendit, Meta u shpreh i bindur se zgjedhjet lokale do të jenë një fitore për LSI-në. Jemi gati për fitoren e zgjedhjeve lokale, - tha Meta.