E Diel, 1 Nëntor 2026

Omonia: Drejtësia shqiptare të hetojë deputetët e PDU-së

Gjatë valës së reagimeve ndaj skandalit të ushtarëve grekë gjatë paradës në Greqi, reagoi edhe Omonia, por kësaj radhe jo për të dënuar aktin e Forcave Speciale Greke, por për të dënuar protestuesit shqiptarë.
Me anë të një njoftimi për shtyp, Omonia deklaroi se dënojmë gjithashtu pjesëmarrjen e dy anëtarëve të Parlamentit shqiptar në këto protesta. Organizata e minoritetit grek kërkoi që organizatorët e protestës përpara Ambasadës Greke në Tiranë, deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri të hetohen nga drejtësia, për shkak të përdhosjes së simboleve kombëtare. Simbolet e të gjitha kombeve janë të shenjta dhe askush nuk mund ti prekë. I bëjmë thirrje drejtësisë shqiptare që të tregojë ndjeshmëri analoge, që është e detyrueshme nga Kushtetuta dhe nga ligjet, në mënyrë që shkaktarët të dërgohen përpara drejtësisë, thuhet në njoftimin për shtyp të Omonia-s.
Sipas saj, ndërkohë që në Greqi parullat raciste u dënuan njëzëri nga e gjithë bota politike dhe shkaktarët e incidentit po hetohen nga organet përkatëse shtetërore, në Shqipëri veprimet raciste-antigreke organizohen nga anëtarë të Parlamentit shqiptar.
Omonia akuzoi deputetët e PDU-së si organizator të një proteste ku u përdhos flamuri grek dhe u hodhën parulla antigreke, ndonëse kjo nuk ndodhi gjatë protestës përpara ambasadës greke, por në një protestë të mëvonshme përgjatë Rrugës së Kavajës. Përdhosja e flamurit grek dhe parullat antigreke që u dëgjuan jashtë Ambasadës Greke në Tiranë dhe në qytete të tjera shqiptare janë po aq veprime të palogjikshme dhe të errëta, sa edhe parullat raciste që u dëgjuan nga persona sporadik përgjatë festave të Përvjetorit Kombëtar në Athinë. Janë veprime që provokojnë ndjenjat e të gjithë qytetarëve me mendime të shëndosha, qofshin grekë apo shqiptarë. Janë veprime nga persona të papërgjegjshëm që tentojnë destabilizimin, bën të ditur Omonia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›