E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri grek i Mbrojtjes falënderon Shqipërinë për varrezat

Eleftherios Venizelos falënderoi Shqipërinë për varrezat Mbyllet çështja historike dhe humanitare

Ministri grek i Mbrojtjes, Eleftherios Venizelos, ka falënderuar dje Kuvendin e Shqipërisë për ratifikimin e marrëveshjes për varrezat e ushtarëve grekë, përpara pak ditësh, pikërisht gjatë festës kombëtare greke. Duke folur për mediat, ai deklaroi se kjo ishte një çështje historike dhe humanitare dhe iu dha fund një herë e mirë një çështjeje të hapur mes dy vendeve, duke e cilësuar madje si një marrëveshje që do të shtojë dhe përforcojë marrëdhëniet e miqësisë mes dy popujve dhe dy shteteve. Dua të shprehë kënaqësinë time për faktin që Parlamenti shqiptar ratifikoi marrëveshje dypalëshe për varrezat ushtarake në Shqipëri, deklaroi Venizelos, gjatë një konference për shtyp, duke falënderuar palën shqiptare për këtë ratifikim. Sipas tij, ky ishte fundi i një çështjeje të gjatë të mbetur hapur ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, që mori fund pas ratifikimit. Bëhet fjalë për zgjidhjen përfundimtare të një çështjeje të hapur, me karakter historik dhe njerëzor dhe jam i sigurt që ky ratifikim dhe mënyra se si do të zbatohet kjo marrëveshje ndërkombëtare do të përforcojë akoma edhe më shumë pikat e miqësisë dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy popujve dhe dy vendeve, tha ministri Venizelos për mediat e vendit fqinj. Kuvendi miratoi me 66 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim marrëveshjen për varrezat greke në Shqipëri. Sipas kësaj marrëveshjeje, në vendin tonë do të ngrihen dy varreza greke, por kjo pas procesit të kërkimit të varreve greke. Marrëveshja me Greqinë u kundërshtua nga deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, të cilët deklaruan dhe votën e tyre kundër, pozicion të cilit iu bashkuan gjatë votimit edhe Lefter Koka i LSI-së dhe dy deputetë të Partisë Demokratike, Ardian Kollozi dhe Bedri Shehu. Ndërkohë, abstenoi deputeti tjetër i PD-së, Lefter Maliqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›