Reagon Olldashi: Rama të marrë miratimin nga KRRTRSH-ja
Ministri i Transporteve dhe Punëve Publik, Sokol Olldashi, i bën thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të marrë miratimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit para se të nisë zbatimin e projektit për sheshin Skënderbej. Olldashi reagoi disa minuta pasi Bashkia e Tiranës inauguroi punimet për rehabilitimin e tij. Plani për ndërtimin e këtij sheshi duhet të kalojë në KRRTRSH, pasi qendra e Tiranës ka një plan ligjërisht, atë francez, - tha Olldashi. Ministri ndër të tjera përshëndeti shpejtësinë me të cilin kryetari i Bashkisë së Tiranës nisi punimet në shesh vetëm dy ditë pas ndërhyrjes nga ana e topografëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve për asfaltimin e këtij sheshi. Përshëndes shpejtësinë me të cilën veproi kryetari i Bashkisë së Tiranës ndaj ndërhyrjes së Kryeministrit Berisha, por plani për ndërtimin e këtij sheshi duhet të kalojë në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit, pasi qendra e Tiranës ka një plan ligjërisht, atë francez, - deklaroi Olldashi. Ministri shtoi se nuk do të lejohet të shpërdorohen fondet e qytetarëve. Sipas tij, projekti ka pësuar ndryshime që nuk janë miratuar në KRRTRSH dhe plani i tij është klientelist. Ftoj Ramën të reagojë shpejt, duke sjellë planin në KRRTRSH, në bazë të ligjeve në fuqi, - tha Olldashi. Dy ditë më parë këshilltarët e djathtë deklaruan se mbështesin restaurimin e sheshit Skënderbej. Ferdinand Poni ka deklaruar në emër të këshilltarëve demokratë të Bashkisë së Tiranës, se grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike, mbështet fuqimisht iniciativën e qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Berisha për ndihmën dhe kontributin, për ti dhënë fund gjendjes katastrofike në sheshin qendror të kryeqytetit dhe të shqiptarëve në sheshin Skënderbej. Kjo gjendje e mjerueshme e sheshit Skënderbej e denoncuar sa e sa herë nga këshilltarët e Bashkisë së Tiranës, është krijuar për shkak të nënshtrimit të Edi Ramës ndaj politikes dhe klaneve mafioze të Kokëdhimës e kompani. Aq i turpshëm e dëmtues është ky nënshtrim sa ka devijuar, ka penguar edhe vetë planin francez të shpallur e proklamuar me aq bujë nga Rama, - ka pohuar ai.