Meta kërkon mbështetjen e elektoratit në Elbasan
20/05/2005 Kryetari i LSI, Meta, prezantoi në Elbasan kandidatin për deputet të LSI, pedagogun Ismail Stafa. Gjatë fjalës së mbajtur në takimin e zhvilluar në Gjinar, Meta shprehu besimin se banorët e Gjinarit dhe të Shpatit, si zonë me tradita patriotike dhe të majta, do të votojnë më 3 korrik për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Sipas tij, LSI është "forca politike më përfaqësuese e aspiratave të tyre për një jetë më të mirë, forca politike e bazuar në të majtën e vërtetë, që mendon për popullin dhe jo për interesat e politikanëve dhe forca e re politike, që do të ndërtojë një Shqipëri të re dhe që do të mbyllë kapitullin e hidhur të varfërisë ekstreme, ku është zhytur kjo zonë me resurse të shkëlqyera turistike". Në veçanti kryetari i LSI, Meta, u angazhua për rikonstruksionin e plotë të rrrugës, Elbasan-Gjinar, në parametrat e një rruge turistike, e cila do t’i japë zhvillim të jashtëzakonshëm kësaj zone. Njëkohësisht, kreu i LSI afirmoi edhe njëherë tjetër qëndrimin dhe prioritetet e LSI-së, për zhvillimin e zonave rurale dhe në veçanti për përmirësimin e infrastrukturës të tyre, për komunikimin më të mirë dhe më të shpejtë me tregjet, si dhe për zhvillimin e bujqësisë dhe nxjerrjen e saj nga kriza e thellë, ku e kanë futur monopolet qeveritare.