E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpëtim Ziri konkurrent i PD në zonën e Krujës

20/05/2005  Nënkryetari i Partisë Demokratike, Bamir Topi, ka prezantuar dje, në qytetin e Krujës, kandidatin për deputet në zonën 23, Shpëtim Ziri. Topi, në fjalën e tij, tha se vota në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për opozitën do të thotë votë për ndryshimin e këtij realiteti mbytës për shqiptarët. Nënkryetari i PD-së u shpreh se shqiptarët me votën e tyre do t'i thonë ndal monopoleve të krijuara në këto vite të qeverisjes socialiste. Ai i ka bërë thirrje elektoratit që të votojnë për kandidaturën e Zirit në mazhoritar, ndërsa në listën proporcionale të votojnë për partitë aleate të PD. Sipas Topit, opozita aktuale ka qenë e detyruar ta bëjë këtë zgjedhje si përgjigje ndaj skemës së paramenduar të socialistëve. Që prej dy ditësh, krerët e PD-së, gjatë prezantimit të kandidatëve, i kanë bërë thirrje elektoratit të PD-së që votën e proporcionalit t’ia delegojnë aleatëve të tyre. Një ditë më parë, ishte kreu i PD-së, Berisha, i cili gjatë prezantimit në Vorë të kandidatit Astrit Patozi, i bëri thirrje elektoratit të votojë në listën shumemërore për aleatët e PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›