E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta konfirmon: Lëvizja pa viza, brenda këtij viti

Intervista Zëvendëskryeministri flet për “Die Presse”, në lidhje me integrimin dhe krizën politike

Ministri i Jashtëm, njëkohësisht zëvendëskryeministri Ilir Meta, flet në një intervistë për “Die Presse” për liberalizimin e vizave dhe premtimin e qeverisë shqiptare.

Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e kanë arritur heqjen e vizave. Shqipëria ende jo...

Ne jemi në rrugë të mbarë dhe presim që bashkëqytetarët tanë të kenë mundësinë të udhëtojnë për në vendet e BE-së pa vizë, brenda këtij viti. Kjo është për ne çështje dinjiteti (nderi) dhe lirie. Asnjë vend tjetër në Europë nuk ka vuajtur kaq shumë nga izolimi sa Shqipëria. Nuk ka qenë kaq shumë i izoluar sa Shqipëria.

A nuk druheni se për këtë arsye, Shqipërisë do t’i duhet të presë ende?

Jo, nuk ka arsye. Komisioni i BE-së ka një strategji të qartë në lidhje me liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit, sapo këta të përmbushin kriteret e përcaktuara. Bosnja dhe Shqipëria pritet të jenë vendet e radhës që do të përfitojnë nga kjo. Shpresojmë që BE-ja t’i ofrojë edhe Kosovës një plan për liberalizimin e vizave. Dhe ky sigurisht nuk është fundi i procesit integrues për Shqipërinë. Kryeministri Berisha i dorëzoi Komisionit të BE-së javën e kaluar pyetësorin me përgjigjet e 2000 pyetjeve, të cilat i ishin bërë Shqipërisë.

Për këtë, komisioneri i Zgjerimit Füle, ka kërkuar një normalizim të situatës politike në Shqipëri. A do të bëhet pengesë për në rrugën drejt BE-së, problemi me opozitën socialiste?

Bojkoti i Parlamentit prej socialistëve nuk po ndihmon sigurisht. është bojkoti më absurd që Shqipëria ka kaluar ndonjëherë.

Socialistët i arsyetojnë veprimet e tyre për shkak të parregullsive në zgjedhjet e fundit parlamentare...

Natyrisht që zgjedhjet nuk ishin perfekte. Por të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë e pranuan dhe ishin të mendimit që këto ishin zgjedhjet më të mira që janë mbajtur ndonjëherë në Shqipëri. Ne i kemi propozuar kryetarit të PS-së, Rama, hetimin e të gjitha pretendimeve për parregullsi në një komision të përbashkët parlamentar, ku socialistët do të kenë kryetarin dhe shumicën e anëtarëve të këtij komisioni. Ai, nga ana e tij, kërkon ta radikalizojë situatën, në mënyrë që të nëpërkëmbë dinjitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë dhe të qeverisjes sonë.

Vendet e Europës Juglindore përballen me një problem diplomatik: Serbia nuk merr pjesë në asnjë takim ku është e ftuar (përfaqësohet) Kosova, siç ndodhi në rastin e fundit në Slloveni..

Ne nuk presim që Serbia ta njohë Kosovën që nesër si shtet të pavarur. Por Serbia dëshiron të integrohet në BE. Për këtë arsye është në interesin e Serbisë, që në marrëdhëniet e saj me Kosovën të jetë më konstruktive. Në rrugën e vendeve të Europës Juglindore drejt BE-së, është i rëndësishëm dinjiteti i të gjithë rajonit. Fakti që Serbia nuk mori pjesë në Samitin e Brdo-së në Slloveni ishte diçka negative për gjitha rajonin. Shpresoj që në takimin tjetër që do të zhvillohet në Sarajevë, të gjitha vendet të marrin pjesë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›