Kërcënimi i prokurorit, fillon verifikimi i letrës
Drejtësia vihet në lëvizje pas kërcënimit dhe shantazhit ndaj prokurorit të Krimeve të Rënda, Anton Martini, i cili ka marrë një letër kanosëse nga i paraburgosuri Nikoll Syziu mëngjesin e dy ditëve më parë. Letra është firmosur në fund nga Syziu i hetuar dhe gjykuar për vrasjen e punonjësit të policisë Gjon Pacuku në vitin 2000 në qytetin e Rrëshenit dhe në pritje të verdiktit të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se kryeprokurorja Ina Rama është njohur me ngjarjen në fjalë dhe ka urdhëruar që të fillojë një verifikim i plotë. Pritet që Prokuroria e Tiranës të hapë një verifikim, ku do të analizohen thëniet e të pandehurit Nikoll Syziu në letër për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim. Nëse po, atëherë i hetuari dhe i gjykuari për vrasje për shkak të cilësive të veçanta, do t’i nënshtrohej një hetimi të ri, kësaj herë për “kërcënim dhe kanosje ndaj funksionarëve publikë”.
Zyrtarë të akuzës qendrore deklarojnë se hetimi për këtë rast mund të realizohet në shkallën e parë, ndërsa paraprakisht mund të merren masa për sigurinë ndaj prokurorit në fjalë. Megjithatë, në “sitën” e organit të akuzës do të jetë edhe dërgimi i letrës nga paraburgimi 313 në Tiranë. Ndërkohë, gazeta “Shqip” ka kontaktuar me drejtorin e paraburgimit 313, Shkëlqim Kalemi. Zoti Kalemi mohoi në mënyrë kategorike dërgimin e kësaj letre nga ky burg i konsideruar i sigurisë së lart, pasi në të ndodhen një pjesë e mirë e të paraburgosurve që po hetohen dhe gjykohen për vepra të rënda penale. Drejtori shpjegoi mënyrën e dërgimit të letrave nga ky institucion, duke pohuar se në disa pjesë të burgut janë vendosur kosha për postimin e letrave nga të burgosurit. Më pas, administrata e burgut, pa i lexuar ato, i kontrollon dhe protokollon. Këto letra dërgohen në destinacionet përkatëse. Për rastin konkret, Kalemi deklaron se nuk ka marrë në dorë asnjë letër dhe aq më tepër të ketë qenë kërcënuese apo shantazhuese. Ai hodhi dyshimin se letra mund të jetë postuar nga jashtë burgut, megjithatë deklaroi se gjatë takimit me familjarët i paraburgosuri mund t’ia ketë dhënë. Gjithsesi, në fund të deklaratës për gazetën shtoi se është i hapur për çdo lloj hetimi për këtë kërcënim, duke deklaruar se do të bashkëpunojnë me prokurorinë për ndonjë hetim të mundshëm ndaj institucionit që drejton.
Dy ditë më parë, një letër mbërriti në godinën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në letër deklarohej se dërguesi ishte “Burgu i sigurisë së lartë 313” dhe marrësi ishte Anton Martini, prokuror te Krimet e Rënda. Zyrtarë të akuzës qendrore, të cilët kanë marrë letrën, deklarojnë se i arrestuari Nikoll Syziu kërcënon me jetë prokurorin për dënimin që ka kërkuar ky i fundit në seancën e kaluar gjyqësore, ndërsa i “premton” se do të shpifë në adresë të tij duke i prishur edhe karrierën. Përpos këtyre, kërcënimet vijonin se “padrejtësia” që u ka bërë prokurori vëllezërve Syziu do të vazhdonte për gjithë jetën. Për këtë letër janë vënë në dijeni zyrtarë të akuzës qendrore dhe asaj të Krimeve të Rënda, ndërsa është premtuar se për këtë rast mund të fillojë edhe një hetim nga Prokuroria e Tiranës.
#