E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri çek- Berishës: Ligji i Dosjeve i domosdoshëm për demokraci të fortë

Ministri për Zhvillim Rajonal i Çekisë, Cyril Svoboda, gjatë takimit të zhvilluar me kryeministrin Berisha, e ka cilësuar të domosdoshëm Ligjin e Lustracionit, për realizimin e një demokracie të fortë. Demokracitë duhet të tregohen të forta në mbrojtjen e vlerave të tyre dhe për këtë arsye Ligji i Lustracionit është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ta bërë demokracinë të fortë, është shprehur ministri Svoboda. Gjatë këtij takimi, ministri çek ka vlerësuar të shkëlqyer prezantimin që kryeministri Berisha u bëri reformave të Shqipërisë në takimin e zhvilluar pak ditë më parë në Vashavë, duke nënvizuar faktin se ishin këto arritje të qeverisë shqiptare që bënë të mundur aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Më tej, biseda u përqendrua mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryeministri Berisha e i bëri me dije ministrit Svoboda se qeveria ka ndërtuar infrastrukturën zgjedhore më moderne dhe është tërësisht e angazhuar të bëjë të gjitha përpjekjet për të zhvilluar zgjedhjet më të mira në Shqipëri, që plotësojnë standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme. Biseda u përqendrua në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy qeverive dhe vendeve tona, në këtë drejtim kryeministri Berisha i shprehu dhe një herë ministrit Svoboda mirënjohjen më të thellë të tij, qeverisë shqiptare dhe gjithë shqiptarëve për kryeministrin Topolanek dhe qeverinë e çeke për mbështetjen dhe përkrahjen e jashtëzakonshme që i dhanë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kryeministri i cilësoi këto dy ngjarje si madhore e historike, duke vlerësuar kontributin e Kryeministrit Topolanek, por edhe të Presidencës Çeke të Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare të BE-së, për realizimin me sukses të aplikimit për statusin e kandidatit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›