E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni: Brenda majit, Shqipëria me identifikimi i adresave

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni ka kërkuar prezantimin denjësisht të Shqipërisë me një sistem adresash, dhe si e tillë ajo duhet kuptuar nga të gjithë faktorët përgjegjës. Pas kaosit të krijuar kohët e fundit në vendin tonë, si pasojë e mungesës së adresave të sakta në vendin tonë zëvendësministri Poni ka kërkuar vëmendje të veçantë nga njësitë vendore për projektin "LAM" për menaxhimin e territorit, i cili do të mbështesë vendosjen reale të tabelave në 11 qytete. Ai ka theksuar se deri në fund të majit të gjithë banesat e Shqipërisë do të jenë të identifikuara, ku pas numërtimit të këtyre objekteve, ekspertët e ministrisë do verifikojnë përputhshmërinë mes banorëve dhe objekteve të tyre të banimit. Ne kërkojmë si ministri, që fundi i majit të sjellë përfundimin e pjesës së numërimit, njoftimit të çdo qytetari shqiptar në këto 65 bashki, se cila është banesa e tij, sipas formularëve dhe në përputhje me ligjin, që do të shënojë një revolucion të tretë përsa i përket pjesëve tona të shërbimit, nënvizoi Poni. Pas numërtimit, do të jetë detyrë e bashkive riorganizimi i sistemit të adresave. I gjithë projekti për modernizimin e këtij sistemi, ka nisur në 2007, dhe sipas Ponit do ti japë zgjidhje gjithashtu problemeve me regjistrin kombëtar elektronik të shtetasve. Sipas tij, kjo do të bëjë të mundur krijimin e një shërbimi lidhur me identitetin e shtetasve, si dhe mirëmenaxhimin e kontrollit të territorit, për dhënien e shërbimeve mbi vendndodhjen e çdo shtetasi në një territor të caktuar. Modernizimi i Sistemit të Adresave, së bashku me reformën për dixhitalizimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, modernizimin e  zyrave të saj në të gjithë vendin, si dhe procesin e pajisjes së shtetasve me letërnjoftimin elektronik, përbëjnë për zëvendësministrin e Brendshëm një platformë tepër moderne. Faza e parë e procesit të Modernizimit të Sistemit të Adresave konsiston në kthimin e ortofotos në hartë vektoriale, dixhitalizimin e akseve të rrugës apo gjithë pjesëve të territorit publik, emërtimin e këtyre pjesëve si dhe hedhjen e emrave të tyre në hartën dixhitale. Përfundimi i fazës së parë të këtij procesi, ndihmon komunat dhe bashkitë në të gjithë vendin, që ato të ecin në fazën e dytë, atë të numërtimit real të çdo banese në Shqipëri si dhe bashkërendimin midis shtetasit dhe banesës së tij, në mënyrë që ky proçes të përfundojë brenda muajit maj të këtij viti, ka vijuar Poni. Këto deklarata, zëvendësministri i Brendshëm i ka bërë gjatë seminarit me temë Modernizimi i Sistemit të Adresave Administrative dhe Sistemit të Gjendjes Civile në Shqipëri, organizuar nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Projektin e BE- së dhe prezencën e OSBE- së, në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›