E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta mes Ramës e Berishës: Konflikti një grip stinor që duhet të mbarojë

Autori i Lajmit: Redaksia
Zëvendëskryeministri, Ilir Meta distancohet nga Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama,duke u kërkuar të dy protagonistëve të konfliktit të fundit politik, të rrisin standardet e komunikimit dhe zbatimit te ligjit. Numri 2 i Qeverisë Berisha, gjuhën e ashpër dhe akuzat personale mes Ramës dhe Berishës, i ka quajtur një faze kalimtare, duke preferuar të bëjë paralelizëm me gripin e stinës qe qarkullon ketë periudhe. “Do doja që ta quaja këtë sezon ngacmimesh dhe provokimesh të panevojshme si një grip stinor që duhet ta lëmë sa më shpejt pas dhe të ecim të gjithë përpara pasi nuk kemi kohë për të humbur. Të gjithë qytetarët shqiptarë presin një ritëm më të lartë të reformave, presin një forcim të mëtejshëm të institucioneve demokratike dhe ato të shtetit ligjor, presin jo vetëm shërbime më të mira jo vetëm nga qeveria dhe administrata e saj por edhe pushteti vendor”, - tha dje Meta. Ai kritikoi dhe mënyrën e protestës opozitare duke pohuar se “nuk kemi nevojë as për akuza të ndërsjella dhe as për thasë me plehra në një ambient që për fat të keq nuk është shumë ekologjik për politikën shqiptare”. “Qytetarët presin të pastrohen edhe ato mbeturina të cilat ende shqetësojnë qytetin tonë por edhe qytetet e tjera të vendit dhe kurrsesi nuk mirëpresin që atë formë qoftë simbolike të përqendrohen në sheshet dhe në bulevardet kryesore. Duhet ta hedhim tej këtë lloj simbolike sepse nuk i shërben askujt”, - tha ai. Sipas Metës të gjithë duhet të hyjnë në një garë tjetër dhe gara është pikërisht për të rritur standardet e komunikimit politik për të rritur standardet e legjislacionit në mënyrë që ai të jetë i standardeve evropiane dhe opozita në këtë drejtim ka shumë se çfarë mund të bëjë. Për sa i përket festës së 8 dhjetorit dhe akuzave të opozitës, Meta ka mbështetur Kryeministrin duke e konsideruar atë si ditën e rënies së murit të Berlinit për Shqipërinë. Lidhur me pjesëmarrjen e tij në takimin e Partive Socialiste Evropiane, Meta tha se LSI është një forcë e majtë progresiste që ka raporte të mira me partitë socialiste evropiane. “Kështu që pjesëmarrja e jonë në aktivitetet dhe konferencat e PSE-së tashmë është kthyer edhe në një traditë dhe natyrisht që kjo është një mundësi shumë e mirë për tu takuar me drejtues të rëndësishëm të së majtës evropiane dhe për të ndarë me ta vullnetin dhe dëshirën e përbashkët, që Shqipëria sa më shpejt të fitojë liberalizimin e vizave; që Shqipëria sa më shpejt të jetë një vend anëtar i BE-së”, - tha ai. Numri dy i qeverisë ka bërë dhe një përmbledhje të gjithë takimeve të tij gjatë punimet e Ministerialit të 17-të të OSBE-së.

Ky lajm është publikuar: 07/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›