E Diel, 1 Nëntor 2026

Tetë dhjetori, Berisha jep udhëzimet e fundit për festën

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha diskuton përgatitjet e fundit për festën e madhe siç e konsideron ai, mitingun e 8 dhjetorit. Pikërisht për këtë gjë ai ka mbledhur dje kryesinë e degës së Partisë Demokratike në kryeqytet. Duke folur për këtë eveniment, Berisha tha se 8 dhjetori do të jetë një festë e bukur në përvjetorin e rrëzimit siç tha ai “të murit të Berlinit”. Sipas tij vendi në këto 18 vite ka bërë përparime të mëdha ndërsa tha se është shembur muri i korrupsionit. Kryeministri dhe kryetari i PD-së, tha se lëvizja që solli rrëzimin e murit të Berlinit në Shqipëri, u fillua nga heroi i demokracisë siç u shpreh Berisha, Azem Hajdari, deputeti demokrat i vrarë në vitin 1998. Për të kujtuar lëvizjen studentore të dhjetorit 1990 janë parashikuar të gjithë elementët e një feste madhështore. Kënga, ndriçimi, fishekzjarrët janë pjesë të dekorit të kësaj feste, me të cilën partia e mazhorancës do ti krijojë një imazh tjetër sheshit “Skënderbej”, përkundër imazhit të protestave të opozitës. Grupe të njohur këngëtarësh mes të cilëve edhe finlandezët e “Sunrise Avenue” do të ngjiten në skenë për ti dhënë më tepër gjallëri festës së demokratëve. Bëhet e ditur se në këtë festë të 8 dhjetorit janë ftuar të gjithë, duke pasur parasysh këtu themeluesit e dikurshëm, anëtarët e PD-së, simpatizantët e saj.

Kryesia

“Dua të përshëndes anëtarët, militantët, simpatizantët e PD-së dhe të ftojë nga kjo platformë qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë me 8 dhjetor, ditën që ndau historinë e këtij kombi, ditën që ndau epokat për shqiptarët, ditën që bëri të mundur që shqiptarët të kalojnë nga mbretëri e shtypjes së egër e regjimit totalitar, e frikës, ndjekjes, persekutimit, izolimit më të thellë në historinë e tyre në mbretërinë e lirisë, dinjitetit, rrugës drejt Evropës, drejt prosperitetit”, - kështu e nisi fjalën Kryeministri Berisha gjatë mbledhje së djeshme të kryesisë së demokratëve e të kryeqytetit. Ai ftoi të gjithë shqiptarët të mblidhen më 8 dhjetor për të nderuar, siç tha ai, me respektin më të thellë nderimin më të madh për ato djem edhe vajza të Universitetit të Tiranës, të cilët në një akt legjende u përballën në rrugët e Kryeqytetit me diktaturën me të egër që Evropa kishte njohur ndonjëherë dhe e gjunjëzuan atë. Berisha kujtoi se 8 dhjetori ishte dita e antikomunizmit, ngadhënjimi mbi këtë regjim barbar por dhe dita që i hapi dyert kombit për të dalë nga një udhëkryq i tmerrshëm në të cilin e kishte vendosur regjimi komunist. “Ne kemi një arsye tjetër shumë të madhe për tu bashkuar të gjithë në sheshin Skënderbej në 8 dhjetor, sepse ne jemi burrat dhe gratë që shembëm 19 vjet më parë murin e Berlinit në Tiranë. Ne sot qëndrojmë në kursin e historisë të shndërrimit të ëndrrave tona në realitet, të shndërrimit të idealit të dhjetorit në realitet, lokomotivë e integrimit të këtij vendi”, - tha ai. Por për kreun e Ekzekutivit kjo festë është edhe më domethënëse kur kujtojmë se tashmë Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s por dhe pasi Bashkimi Evropian ka pranuar kërkesën e saj për anëtarësim. “Unë ftoj të gjithë shqiptarët pavarësisht nga bindjet partiake që i besojnë pluralizmit, vlerave të tij. Ftoj të gjithë shqiptarët, për të cilët familja është vlerë themelore e kësaj shoqërie, të bashkohemi në sheshin Skëndërbej për të festuar një ditë ndër më të mëdha në historinë e kombit tonë, për tu bashkuar në të gjitha kombet e Europës që festuan në nëntor me një madhështi të merituar, të paparë, rrëzimin e murit të Berlinit, 20 vjetorin e rënies së tij. 8 dhjetorin ne do ta shndërrojmë në një ditë të së ardhmes sonë, sepse ne nuk punojmë as për lavdinë dhe as dhe për historinë. Përkushtimi ynë i plotë është ndryshimi i këtij vendi, çdo ditë, cxdo javë e çdo muaj”, - tha ai. Berisha shtoi se festa do të përqendrohet në Tiranë ku dhe studentët e dhjetorit mes të cilëve Azem Hajdari shembën Murin e Berlinit.

Kryeministri: “Do të shembim murin e mafies”

Në mandatin e ri qeverisë ne do të shembim murin e mafies që aleanca punisto-mafioze po përpiqet të lartësojë çdo ditë e më shumë. Kështu pohoi dje kreu i Qeverisë, Sali Berisha ndërsa vlerësoi dhe punën e Ekzekutivit në katër vitet e kaluara. “Ne nderojmë 8 dhjetorin pasi së bashku gjatë këtyre 4 viteve shembëm murin e krimit që ndante Shqipërinë me Evropën, murin e korrupsionit që kishte mbyllur dyert e integrimit të Shqipërisë në Evropë dhe vijmë më të vendosur se kurrë të shembim murin e mafies që aleanca punisto - mafioze përpiqet të lartësoj çdo ditë e më shumë. Ne qëndrojmë të vendosur në zotimin tonë për shtetin ligjor që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë që meritojnë”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 07/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›