E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në qeveri, një lëvizje e "detyruar"

Ilir Meta u anatemua si një tradhtar i së majtës dhe i 87 mijë zemrave socialiste, sikurse tha Edi Rama. Edhe në shtyp, të shumtë janë ata që ende shprehin habinë se si Ilir Meta, një njeri me bindje socialiste dhe drejtues i një partie të majtë, iu bashkua Sali Berishës në qeverisje. Socialistët kanë shumë arsye të ndihen keq, dhe para se të ndjehen të tillë për "tradhtinë" e Metës, ndjehen sepse mbetën sërish jashtë qeverisjes, edhe pse jo për faj të Metës. Padyshim që këto zgjedhje dhe mbi të gjitha lëvizja e Metës, do të shënojnë një kapitull të ri në politikën shqiptare. Eliminimi nga skena i një duzine partish të vogla, ndarja e votës thuajse në mënyrë të barabartë mes dy partive kryesore dhe shndërrimi i LSI-së në faktor, edhe pse me vetëm 4 deputetë, paralajmëron një stinë me zhvillime të forta politike. Edi Rama ende nuk ka pranuar se ka humbur dhe ende nuk e ka uruar fituesin(it) dhe shpresojmë ta bëjë këtë pasi ta thotë KQZ fjalën e fundit, duke demonstruar kështu klasin politik që shumë njerëz presin prej tij. Megjithatë, në daljen e fundit publike ai u mjaftua me mallkimin e Ilir Metës dhe keqardhjen për ata 87 mijë votues (janë më shumë thotë LSI) që u tradhtuan. Pikërisht këtu donim të ndaleshim, pra te keqardhja e Ramës për votuesit e LSI-së dhe tek akuza për tradhti e Metës.

Ndërsa flitet për pazare xhuveliste, e më keq akoma, në lëvizjen e Metës ndoshta përtej një marrëveshjeje, apo pazari siç thuhet, duhet të shikojmë ndoshta dhe një lëvizje të detyruar të Metës. Duhet të pranojmë se Meta nuk kishte rrugë tjetër, veçse t‘i bashkohej qeverisjes, edhe pse ajo drejtohet nga Berisha. Kjo, sepse ai nuk mundet e nuk do të mundet ndoshta asnjëherë ta krijojë i vetëm qeverinë. Me gjithë euforinë që shfaqi gjatë fushatës, kreu i LSI-së e di fare mirë se deri ku i ka kufijtë partia e tij. Në kushtet kur Berisha me marifete KZAZ-rash e mori dhe mandatin e 71-të, Partia Socialiste nuk mund ta krijonte qeverinë edhe me votat e LSI-së dhe për pasojë Metës do t‘i duhej të jetonte si opozitar së bashku me Ramën, për hir të idealeve socialiste. Por LSI nuk është PS dhe 4 vjet të tjera në opozitë do të ishin një mundim i madh për të dhe, nuk është çudi që deri në zgjedhjet e ardhshme ajo të ishte tkurrur në një partizë që nuk do t‘i hynte në punë asnjë koalicioni. Për më tepër, ne jemi të sigurt se Rama, në rast se do të fitojë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për ta bërë vetë qeverinë, nuk do t‘i jepte partisë së Metës të drejtonte as Drejtorinë e Peshkimit apo Shërbimin Social Shtetëror. E përse do t‘i duhej Metës atëherë të qëndronte në opozitë e të vajtonte humbjen e pushtetit së bashku me Ramën? Qëndrimi i Ramës ndaj Metës u duk qartë edhe para e gjatë fushatës që nuk ishte aspak bashkëpunues. Fushata parazgjedhore u shndërrua në një merkato të ashpër e shpesh të shëmtuar kryepleqsh, këshilltarësh e kryetarësh komunash që kalonin nga njëra parti te tjetra. Kujtojmë këtu se si PS reklamonte fuqishëm njerëz që dorëzonin publikisht teserat e LSI-së dhe riktheheshin në gjirin e partisë mëmë, duke akuzuar Metën për krijimin e "Sh.p.k Parti". Gjatë fushatës, Rama nuk i reshti asnjëherë sulmet ndaj Metës dhe përbuzi një tryezë "sa për të larë gojën" që Meta organizoi një javë para zgjedhjeve, për të bashkuar të majtën në një bllok. Rama nuk e pa asnjëherë Metën si partner paszgjedhor dhe i gënjyer nga sondazhet, e zëvendësoi LSI-në me grupime "muzikore" të tipit G99. Në këto kushte, politika shqiptare iu drejtua 28 qershorit me tre protagonistë, të cilët nuk patën lënë gjë pa i thënë dhe pa i bërë njëri-tjetrit. Për këto dhe të tjera arsye, Rama nuk ka pse ngre gishtin e akuzës ndaj Metës tani, përderisa asnjëherë gjatë dhe para fushatës nuk e përmendi LSI-në si parti bashkëqeverisëse. Për këto dhe të tjera arsye, Metës nuk i është dashur të mendohet gjatë nëse do të bashkohet me Ramën apo me Berishën, pasi politikisht ata janë njësoj për të. Atëherë, kuptohet se kreu i LSI-së preferoi atë që e ngre në pushtet, pasi në fund të fundit, kur merresh me politikë synon të qeverisësh dhe nuk e bën këtë për hobi. Meta asnjëherë nuk mund të presë partneritet në qeverisje, as nga Rama e as nga Berisha, pasi asnjëri nuk do ta ftojë për bashkëqeverisje nëse do të mund ta bëjë këtë vetëm. Meta shfrytëzoi dhe do të shfrytëzojë nevojën e PS-së apo PD-së për mandatet qeveriformuese dhe sivjet ai bëri pikërisht këtë gjë.

Meta iu drejtua gjithashtu qeverisjes, edhe pse atë e komandon Berisha, me shpresën që Rama opozitar të gërryhet ndërkohë nga të tijtë brenda partisë, por edhe jashtë (Solis, Gjinushi, Milo po e fajësojnë atë pse mbetën jashtë pushtetit) dhe ai të fitojë më shumë terren mes së majtës. Për shkak të moshës, dueli Rama-Meta është edhe më i ashpër se ai mes tyre dhe Berishës, i cili gradualisht po e mbyll ciklin e politikës edhe për shkak të moshës.

Të dy në moshë të re e me karizëm të theksuar, Rama dhe Meta do të luftojnë tashmë hapur fare se kush do ta kontrollojë të majtën. Me rezultatin e fundit, Rama tregoi se është në krye të një ushtrie të mirorganizuar me të cilën iu qas fare pranë pushtetit. Meta, modest me numrin e deputetëve, është duke eksperimentuar të qeverisë me Berishën dhe duke shpresuar që brenda grupimit socialist të ngrejë krye ndonjë fraksion i "vjetër" që nuk e preferon Ramën në krye të partisë. Kjo do t‘ia shtonte mundësinë atij të zgjeronte territoret politike, por nëse eksperimenti "qeveris me të djathtën dhe përfito mbi të majtën" do të dështojë, atëherë çmimi i LSI-së do të bjerë sërish në bursë dhe atëherë Ramës do t‘i duhet vetëm të presë zgjedhjet e tjera për të shpresuar ndryshimin që pretendon.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›