E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJE "PERRALLE" ME GJYSMAGJELA

Nuk është se nuk jemi mësuar me këtë zgjatjen e dhënies së rezultatit të votimeve. Në vitet që kanë shkuar kemi parë edhe më keq. Por, ca nga ngutja, dhe ca nga nevoja për ta parë vendin dhe veten të përfshirë në punët e përditshme, kemi nisur të bëhemi ca të paduruar. Dhe duke qenë se padurimi të çon ndërmend lloj-lloj gjërash, na u kujtua befas një personazh i fëmijërisë sonë: Gjysmagjeli i famshëm, po njësoj i famshëm sa vetë Qerosi i pashoq. Në mënyrë që të kuptohemi më lehtë, ky Gjysmagjeli shkruhet njësoj kështu dhe jo "Gjysmëgjel", sikurse do ta fiksonin rregullat e drejtshkrimit të gjuhës tonë, duke bërë kështu që të ishte një personazh tjetër, më i ngrysur dhe më pak i lirë.

Gjysmagjeli i përrallave shqiptare bënte ç‘ka i shkonte ndërmend. Ai ishte herë i mirë dhe herë të tjera i keq - në kuptimin tonë të sotëm sigurisht - herë qante kur takonte ndonjë jetim të braktisur në anë të rrugës dhe herë të tjera ishte aq mizor, sa që nga bëmat e tij do t‘i ngjethej shtati edhe vetë diktatorit më mizor. Ishte i bindur në atë që bënte. Askush nuk mund ta vinte në diskutim prejardhjen e tij hyjnore. Ai ishte i bindur se Perëndia e kishte dërguar mbi këtë dheun tonë të pakët jo vetëm që të na shpëtonte nga mjerimi, padija, skamja dhe padrejtësitë, por edhe që të na bënte njerëzit më të ndritur të krejt globit, sikurse mendonte ai që e meritojmë, nëse nuk do bënim gabimet, që atë e mërzisnin, sigurisht.

Me pak fjalë, Gjysmagjeli ishte një gjeni i vërtetë, porse ishte thjesht një gjysmë dhe kjo e vinte në siklet të madh.

Gjysmagjeli kishte një armë të fortë, ai herë bëhej si zog dhe herë të tjera si njeri. Herë këndonte fort këngën e zgjatur të fitores: Ki-kirikiiii! Herë të tjera i kthehej gjysmës së tij tjetër, asaj të të qenit njeri, dhe atëherë e qepte fort gojën në pritje të bëmave të tjera. Kur këndonte këngën e fitores - pra kur shfaqej pjesa e tij prej mbreti të zogjve - ishte fort krenar. Ndërsa kur i duhej të bëhej si ne, vdekatarët-njerëz, e përfshinte një trishtim i madh. Dy gjysmat e tij luftonin fort me njëra-tjetrën. Por kjo - me përjashtim të rasteve të rralla - vetëm sa ia shtonte atij atë bindjen se ishte i dërguari i një hyjnie madhore mbi vendin e shqiptarëve.

Kjo histori mund të duket një budallallëk me brirë në kohën që njerëz të nxirosur, portrete të skuqura nga inati, dyshime të marra por edhe të justifikuara, frikë nga tjetri që ke ngjitur dhe thirrje "Kapeni hajdutin", vazhdojnë të dëgjohen e të shihen në disa qendra votimi. Në dukje asgjë nuk ka lidhje me një përrallë të vjetër. Por, neve na duket e kundërta. Kjo për faktin se, nëse dikur kishim vetëm një Gjysmagjel legjendar, tani, për ironi të fatit në mijëvjeçarin e tretë, kur askush nuk rrëfen më përralla sepse gjyshet e fundit të mira kanë shkuar prej kohësh, ka shumë gjasë që ata të na shfaqen rrugëve dhe rrugicave të shumëfishuar dhe të na përshëndesin njësoj si qëmoti, ose me kokën e ulur njerëzore, ose me një kikiriki të gjatë. Varet se çfarë duam ne të dëgjojmë nga Gjysmagjelat tanë.

Këta janë shtuar aq shumë, sa që kanë arritur edhe atje, si për shembull në Spille të Kavajës - një vend fort i mbarë për plazh dhe jo për politikë - të kenë arritur të ngjeshin hapur në kutinë e votimit, jo pak por 300 vota, edhe një herë aq sa ishin votuesit. Gjysmagjelat kanë bërë që të dëgjojmë edhe thagma elektorale, sikurse ishte rasti i Gilman Bakallit, të cilit i ishte zhdukur jo vetëm vota e tij, por edhe ajo e familjarëve.

Këto thagma "gjysmagjelat" e mijëvjeçarit të tretë nuk kishin se si t‘i llogarisnin. Kujtonin se kjo vjedhje nuk kishte të bënte me personazhet e përrallave të mijëvjeçarit që porsa kemi nisur. Ata e kishin mirë, porse kishin llogaritur vetëm gjysmën e figurës tonë përrallore. Atë njerëzoren. Pjesa tjetër, ajo prej zogu brohoritës, sido që të jetë rezultati i zgjedhjeve, doli që ishte më e fortë.

Gjysmagjeli apo Gjysmagjelët janë të sigurt në fitoren e tyre. Ata e shijojnë atë deri në palcë. Nuk i duhet prishur qetësia, "dehja" që vjen pas një suksesi, për të cilin kanë qenë të sigurt që në fillim. Ata nuk duhen trazuar. Mendojnë për gjëra të tjera, edhe më të mëdha se sa këto që kemi kaluar. Nëse e kanë merituar fitoren, duhen lënë të përkunden në shtratin e tyre të lavdisë.

Ka edhe Gjysmagjelë që nuk e kanë kuptuar dhe mbase nuk do ta kuptojnë kurrë përrallën. Ose, edhe më keq akoma, nuk e kanë lexuar fare atë. Dhe këta janë ca edhe më të vegjël që, ndonëse e dinë që ka edhe gjëra me gjysma, janë krejt të bindur se befas, në një apo disa ditë të vetme do të mundin të zhdukin atë brohoritjen fitimtare: Kikiiiriki!

Këto radhë janë shkruar për t‘u zbavitur të gjithë bashkë në një situatë që kishte nisur të bëhej, sikurse është e kuptueshme - deri dje pasdite - shumë e rreptë dhe tepër e acaruar.

E gjithë përralla mund të përmblidhet në një pyetje të vetme: Sa do t‘i shërbejë vendit një gjysmëfitore, pavarësisht se cila anë do të marrë legjitimitetin? Cila nga gjysmat do të fitojë, ajo prej shpendi kakaritës, apo ajo prej njeriu kokulur? Sido që të shkojë puna, për një gjë jemi të bindur: përballë nesh, në Kuvendin që do të na përfaqësojë, do të kemi plot gjysma. Gjysmëfitimtarë, gjysmëtëhumbur dhe gjysmëtëhallakatur. Edhe për sa kohë do të kujtohemi të lexojmë përralla me Gjysmagjela? Këtë vetëm një dreq e di. Madje këtë nuk e dinë as vetë Gjysmagjelat tanë legjendarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›