E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e dominimit mashkullor

Epokës së dominimit mashkullor po i vjen fundi. Seriozisht! Me vite të tëra bota ka qenë dëshmitare e një lëvizjeje të qetë, por monumentale të fuqisë së meshkujve ndaj grave. Sot, Recesioni i Madh e ka shndërruar atë që ka qenë lëvizje evolucionare në një lëvizje revolucionare. Pasoja e kësaj nuk do të jetë vetëm një goditje vdekjeprurëse ndaj klubit të meshkujve maço, i quajtur si kapitalizmi i financave, e që e çoi botën drejt katastrofës së tashme ekonomike; do të jetë një krizë kolektive për miliona e miliona burra që punojnë përreth botës. Vdekja e maços mund të gjendet lehtë, nëse dini ku të shikoni.

Së pari, keni parasysh ndikimin jo proporcional që kriza e tanishme ka mbi meshkujt, aq shumë saqë recesioni tani po quhet, nga disa ekonomistë, si "ai-cesioni". Më shumë se 80 për qind e humbjeve të vendeve të punës në SHBA kanë rënë mbi meshkuj dhe numrat janë kryesisht të njëjtë edhe në Evropë, sepse sektorët ekonomikë - që tradicionalisht janë të dominuar nga meshkujt - bien më shumë dhe më shpejt se ato që tradicionalisht dominohen nga femrat.

Natyrisht, maçozimi është gjendje e mendjes e jo vetëm pyetje e statusit të punësimit. Dhe, ndërsa meshkujt goditen më rëndë në recesion, ata janë edhe më pak të pajisur që të merren me çmimin e madh dhe afatgjatë psikik të humbjes së punës. Sipas revistës amerikane për shëndetin publik, "pesha financiare e papunësisë" ka shumë më shumë pasoja në shëndetin mental të meshkujve se të grave. Me fjalë tjera, përgatituni për shumë meshkuj të palumtur, me të gjitha pasojat negative që vijnë me këtë. Në të vërtetë, tani me të drejtë mund të thuhet se trashëgimia më e madhe e Recesionit të Madh nuk do të jetë vdekja e Wall Street-it. Nuk do të jetë vdekja e financës. Dhe nuk do të jetë vdekja e kapitalizmit. Këto ide dhe institucione do të vazhdojnë të jetojnë. Ai që nuk do të mbijetojë është maçozimi.

Dhe zgjedhjet që meshkujt do të duhet t‘i bëjnë, pavarësisht nëse e pranojnë apo e luftojnë këtë fakt të ri të historisë, do të kenë efekte sizmike për gjithë njerëzimin. Si do të lëvizë kjo gjë drejt botës post-maço? Kjo varet nga zgjedhjet që do të bëjnë meshkujt dhe kanë vetëm dy të tilla. E para është adaptimi; meshkujt që i përqafojnë femrat si partnerë të barabartë dhe që asimilohen ndaj ndjenjave të reja kulturore, institucioneve etj. Kjo nuk do të thotë se meshkujt në Perëndim do të shndërrohen në metro-seksualë dhe shkallët e futbollit e të birrave do të bien.

Por, në mes të vdekjes së maços, një model i ri i burrërisë do të dalë, pikërisht në mesin e disa meshkujve të edukuar që jetojnë në Perëndimin e pasur. E pastaj vjen zgjedhja tjetër: rezistenca. Meshkujt mund të vendosin ta luftojnë vdekjen e maços, duke e sakrifikuar vetë të ardhmen e tyre në përpjekjen që të shtyhet dhe pengohet një tendencë e fuqishme historike.

Ka plot precedentë për këtë gjë. Në fakt, meshkuj, të cilët nuk kanë ndonjë mënyrë konstruktive për ta shprehur mllefin e tyre, mund të bëhen burim i ekstremizmit të ligë. Mund të jetë joshëse të mendohet se vdekja e maços është vetëm një përmirësim ciklik dhe se meshkujt ‘alfa‘ të botës financiare do t‘i kthehen punës sërish. Joshëse, por e gabuar.

"Gara e penisit", e mundësuar nga mbrojtës të pakufizuar, instrumente misterioze financiare, dhe kapitalizmi i pastër e i paprekur, tani do të zbutet në mënyra që do të zgjasin gjatë. ‘Ai-cesioni‘ po krijon pika të pajtimit në mesin e njerëzve, që zakonisht nuk shihen si shpirtra dashamirës në mes njëri-tjetrit, nga ekonomistët e bihejviorizmit deri te historianët feministë. Por, teksa shumica fajësojnë meshkujt për tollovinë e tanishme ekonomike, shumica e bisedës është përqendruar në efektin që recesioni ka mbi femrat. Dhe këto efekte janë të vërteta. Gratë kanë pasur shkallë më të lartë globale të papunësisë para recesionit aktual, dhe ende e kanë. Kjo bën që shumica të pajtohen me një raport të OKB-së nga fillimi i këtij viti: "Kriza ekonomike dhe financiare e vë një barrë jo të barabartë mbi gratë, të cilat shpesh janë të përqendruara në punësime të brishta dhe kanë përfitime më të ulëta të punësimit e të sigurimit social, por edhe kanë qasje jo të barabartë ndaj burimeve financiare e ekonomike".

Kjo është një brengë me vlerë dhe nuk përputhet me faktin se me miliarda meshkuj në tërë botën, jo vetëm disa bankierë të diskredituar, vazhdimisht e më shumë do të humbasin në botën e re, e cila po merr formë në mbeturinën e tashme ekonomike. Ndërsa gratë fillojnë të fitojnë më shumë fuqi sociale, ekonomike dhe politike, që u është mohuar prej një kohe të gjatë, ai do të jetë asgjë më pak se sa një revolucion i shkallës së plotë, të cilin civilizimi njerëzor kurrë nuk e ka përjetuar më parë. Nuk po themi se femrat dhe meshkujt do të luftojnë kundër njëri-tjetrit përgjatë barrikadave të armatosura. Konflikti do ta marrë një formë më të butë, dhe beteja kryesore do të jetë mendja dhe zemra. Por mos gaboni: boshti i konfliktit global në këtë shekull nuk do të jenë ideologjitë që luftojnë me njëra-tjetrën, apo gjeo-politikat garuese, apo civilizimet që ndeshen. Nuk do të jetë raca apo etniciteti. Do të jetë gjinia. Ne nuk kemi precedent për një botë pas vdekjes së maços. Por, mund të presim që tranzicioni të jetë i mundimshëm, i pabarabartë dhe ndoshta tejet i dhunshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›