E Shtunë, 31 Tetor 2026

QEVERIA: ME "BERISHEN", POR PA BERISHEN

Një qeveri teknike që do ta çonte vendin, pas një periudhe më pak se njëvjeçare, në zgjedhje të parakohshme dhe me standarde, do të kish qenë zgjidhja më e mirë për demokracinë liberale në Shqipëri. Një qeveri teknike, që nuk do të kish për Kryeministër asnjë nga liderët e dy partive të mëdha. Përse? Sepse askush nga këta liderë nuk fitoi. Të dy janë jo vetëm humbës, por bashkautorë të një reforme zgjedhore që në vend të zgjidhjes prodhoi premisën e një krize politike për shtetin. Në këtë kuptim pakti i Metës me Berishën shfaqet i diktuar nga rrethana të pazakonta, por megjithatë vuan pikërisht nga moskushtëzimi i bashkëpunimit me largimin e Berishës nga posti i Kryeministrit. Gjë që e vendos Metën jo vetëm në thyerje të premtimit solemn se "vota për LSI është votë e sigurt kundër Berishës" por, është e mbarsur me rreziqe të mëdha për demokracinë shqiptare.

***

Edi Rama nxitoi të deklaronte se Meta dhe Berisha kishin përfunduar me kohë një marrëveshje paraprake dhe se një gjë e tillë e kish detyruar të mos bashkëpunonte me Metën. Kjo deklaratë që duket sikur provohet nga marrëveshja Meta-Berisha, është një sofizëm. Meta shkoi me Berishën, pra ka pasur një pakt me Berishën. Rama bën qëllimisht një përgjithësim të shpejtuar: pas kësaj pra, për shkak të kësaj. E vërteta është se nuk ka pasur një marrëveshje paraprake mes Berishës dhe Metës dhe se lufta që Rama i bëri Metës inspirohej jo nga një tradhti e fshehtë e Metës, por nga ambiciet e Ramës për të qeverisur (sunduar?) krejt i vetëm. Bashkimi i Metës me Berishën shfaqet sot si një vendim politik i diktuar nga fakti që e majta në tërësi, pra edhe PS, nuk arritën të merrnin numrin e mandateve që do t‘u mundësonin të krijonin qeverinë. Nëse do t‘i kishin pasur këto mandate, sot do të kishim me siguri të plotë një qeverisje të majtë PS-LSI. Por nuk do ta kemi dhe për një gjë të tillë përgjegjësia nuk është e "pazareve misterioze të Metës", por edhe e flirteve të Edi Ramës me Berishën për "reforma historike" që e legjitimuan dhe e mbajtën në këmbë Berishën pas Gërdecit. Kanë pjesën e tyre në këtë disfatë edhe gjithë demarshet e Ramës për të margjinalizuar me çdo kusht LSI-në, sepse zgjodhi një formulë zgjedhore në bazë të së cilës PS mund të fitonte e vetme vetëm duke zvogëluar sa më shumë LSI. Po të mos kish ndodhur kështu, ndoshta sot LSI do të kish pasur jo 4, por më shumë mandate që do t‘i mundësonin bashkëqeverisjen me PS. Koha tregoi se duke goditur LSI-në, Rama godiste me sëpatë degën ku ishte ulur. Dhe prandaj ra. Por edhe LSI doli shumë e drobitur nga këto zgjedhje. Më shumë se forcë, afrimi i Metës me Berishën është tregues i dobësimit të LSI-së nga një agresion që është përshkallëzuar kundër saj që nga 21 prilli i vitit të kaluar dhe nuk u ndal deri më 28 qershor.

Afrimi i Metës me Berishën nuk përbën një alibi për disfatën e Ramës. Aq më tepër kur ky i fundit "e paska ditur" që Meta kish një marrëveshje të fshehtë me Berishën. Por a ka përgjegjësi Meta për sa po ndodh? Ajo tashmë është evidente. Jo çdo përmasë e vendimit të Metës për bashkëqeverisje me Berishën është e diktuar nga rrethanat apo e justifikuar nga ato. Është e vërtetë që ai gjendet mes disa zjarreve që e kërcënojnë. Ai nxiton të përmbyllë marrëveshjen me Berishën, i trembur se mos një gjë të tillë e bën Rama ose disa nga deputetët e listës së tij (siç edhe është përfolur) që mund të kalonin në kampin e Berishës. Pra një nga shkaqet e nxitimit të Metës është kalbëzimi apo xhuvelizimi i politikës shqiptare, që nuk e ka më konceptin e premtimit, vlerën e fjalës së mbajtur, ndarjen reale në bindje dhe ide të majta apo të djathta. Në fakt kjo që po ndodh shkon tej së majtës dhe së djathtës dhe është Rama që, si për ironi, sheh sot në bashkëpunimin Berisha-Meta mishërimin e "kryeteorisë" së vet. Shkak tjetër është nevoja reale që ka vendi për qeverisje në një kohë që ndodhet në prag krize dhe kur shpërdorimet e një fushate super të kushtueshme, e kanë rënduar rrezikshëm buxhetin. Të krijohet përshtypja që edhe "ndërkombëtarët" nuk janë kundër, (madje ndoshta nxisin një lëvizje të tillë të Metës) të nisur nga konsiderata të këtij lloji. Duhet nënvizuar se vitet e fundit vërehet një riformatim i prioriteteve të "ndërkombëtarëve" për Shqipërinë. Për shumë arsye (dhe më kryesorja është vetë klani "Berisha" dhe shantazhet e tij për destabilizim nëse i cenohet pushteti), ndërkombëtarët po priren më shumë nga stabiliteti, sesa nga standardet reale të demokracisë dhe lirisë.

***

E megjithatë, të shkosh me Berishën kur nuk janë shuar ende jehonat e kritikave dhe akuzave të tua kundër Berishës, është një akt që nuk mund të mos befasojë, duke ngjallur kritika të ashpra kundër Metës. Analizat kanë parathënë se pas kësaj, Meta dhe LSI do ta kenë thuajse të pamundur të votohen në elektorat, ndërkohë që Rama do përpiqet të përfitojë (sikundër ndodhi) për t‘u shfajësuar për humbjen dhe për t‘i bërë bisht përgjegjësisë për të. E vetmja mundësi që Meta ka për t‘i shërbyer edhe vendit, duke e shmangur nga një krizë e padëshiruar politike, por edhe pa tradhtuar premtimet dhe parimet që ka shpallur deri më sot, do të qe kushti për të bashkëpunuar me PD-në në qeverisje pa Berishën si Kryeministër. Ai ka shumë arsye për ta kërkuar një gjë të tillë. Pra është jo vetëm premtimi që Meta i ka bërë elektoratit se nuk do të bëjë kurrë bashkëqeverisje me Berishën. Janë edhe rreziqet që Berisha si autoritarist i pandreqshëm prezanton jo vetëm për demokracinë, por edhe për vetë Metën, që duhet ta detyrojnë atë të këmbëngulë për një qeverisje pa Berishën. Tashmë nuk është e vështirë të parashohësh se Berisha do përpiqet që Meta të mos jetë një kusht i qeverisë, duke blerë mbështetje parlamentarësh edhe në të majtë. Ajo që ndodhi me Ndokën duket të jetë një mësim për Metën. Ndërkaq mbeten ende të paprekura potencialet autoritariste të një qeverisjeje berishiste. Sepse ç‘do të ndodhë me hetimet e superskandaleve të Rrëshen-Kalimashit, Fazlliçit apo me ato të tragjedisë së Gërdecit, nëse Berisha mbetet në qeveri? Ǒmund të bëjë Meta në një qeveri të drejtuar nga Berisha për të ndalur presionet mbi prokurorinë, gjyqësorin, presidencën dhe gjithë institucionet e tjera, presione tipike këto për stilin e punës së Berishës? Ǒmund të bëjë Meta për t‘u thënë ndal padrejtësive, shkarkimeve nga puna apo çdo diskriminimi për motive politike që ka qenë në natyrën e qeverisjeve berishiste? Dhe nëse vërtet e ka pasur deri më sot të sinqertë luftën kundër autoritarizmit berishist, Meta duhet të vërë kushte që tentakulat e këtij autoritarizmi të priten, që pushteti i tij të kufizohet dhe të mos jetë më absolut. Një nga ato është kryerja e referendumit për Kushtetutën e deformuar autoritarisht nga amendimet e 21 prillit. Por kryekushti që një mrekulli e tillë të ndodhë, është të paktën që Berisha të mos jetë pjesë e qeverisë që do të dalë nga marrëveshja Meta-Berisha. Nëse nuk realizohet një gjë e tillë, ose Meta dhe Berisha do të hyjnë shumë shpejt në kontradikta, ose Meta do të bëhet pjesë e skemës autoritariste të qeverisjes berishiste. Meqenëse një qeverisje PD-LSI duket e domosdoshme për shmangien e krizës politike, pra që ia vlen një sakrificë, atëherë le të sakrifikohen në themelet e kësaj bashkëqeverisje jo parimet e shpallura të LSI-së, as premtimet e Metës, por diçka nga epshi për pushtet i Sali Berishës që ka 18 vjet që nuk gjen të ngopur. Nuk do qe ndonjë humbje e madhe për Berishën, por padyshim do të ishte një fitore jo e vogël për vendin. Dhe nëse Berisha nuk pranon? Atëherë le ta bëjë qeverinë me pazare të pista deputetësh, duke dhënë edhe një tjetër dëshmi të kalbëzimit të një politike në prag të vdekjes.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›