E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Fier: Mos votoni demagogjitë

Qytetarët më 8 maj do të votojnë për veprat dhe jo për demagogjitë. Me këtë vlerësim e nisi mitingun hapës të fushatës në Fier, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” kandidon Ilir Belen për Bashkinë e Fierit. “Ne ecim drejt 8 majit, me bindjen e plotë se të gjithë qytetarët shqiptarë, në Tiranë e në Fier, dhe kudo në të gjithë Shqipërinë janë të qartë se zgjedhjet e 8 majit janë në radhë të parë për to. Edhe në Fier janë për ta”, u shpreh Meta. Sipas tij, këto nuk janë zgjedhje për t’u fshehur pas sloganeve absurde, pasi e vetmja rrugë ishte slogani i denjë para 25 vjetësh, kur njerëzit nuk lejoheshin të mendonin ndryshe. “Ky është një qytet i mundësive të mëdha ndaj dhe kërkon një drejtim të ri dhe unë ju ftoj të gjithë juve dhe të gjithë anëtarët dhe simpatizantët tanë, që të votojnë për z. Ilir Bele si kryetar i ri i Bashkisë së Fierit. Ky koalicion “Aleanca për qytetarin” është në vijim të koalicionin për integrimin e vendit, i cili në vitin e parë të mandatit të tij realizoi premtimin më madhor, që ishte heqja e vizave për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Meta. Më tej, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se është një kënaqësi e veçantë që kryetarët e bashkive, që nga Lulzim Basha në Tiranë, por edhe deri këtu te Ilir Bele në Fier, por edhe në qytete të tjera, sikurse dëgjuam kandidatin tonë në Pogradec, z. Luan Topçiu, për herë të parë në një fushatë vendore kryetarët e bashkive angazhohen për punësimin dhe kjo është mjaft e rëndësishme. “Ky do të jetë prioriteti ynë deri në fund të këtij mandati, pasi çështja e punësimit është më e rëndësishme për mirëqenin e çdo individi, familjeje dhe gjithë komunitetit. Duke iu falënderuar për përkrahjen që i jepni kandidatëve tanë të “Aleancës për qytetarin”, duke ju ftuar që në këto pak javë që kanë mbetur, deri më 8 maj, të trokasim kudo të shpjegojmë idetë tona, alternativat tonat, dhe ti japim përkrahjen përfaqësuesve tanë, jam i sigurt se më 8 maj një ndryshim shumë i madh do të ndodhë edhe këtu në Fier. Një ndryshim që do t’i ndihmojë qytetarët e Fierit të jenë më të bashkuar për të ardhmen e tyre. Fitore!”, nënvizoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›