E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha abuzon me taksat, fushatë me helikopter

Kreu i opozitës dhe njëkohësisht kandidati për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, ironizoi dje Kryeministrin Sali Berisha për deklaratën e tij se kjo fushatë për mazhorancën do të ishte në dietë. I pranishëm në minibashkinë numër 6, ku prezantoi Krenar Cenollarin, kreu i Partisë Socialiste u shpreh se “dëgjova sot Saliun të thoshte se unë jam qytetar si ju dhe ju jeni të gjithë kryeministra e ministra. A ka tallje më të madhe se kjo fjali, në gojën e një Kryeministri që, për të mos thënë një mijë, po them vetëm një fakt?”. Sipas Ramës, është ky Kryeministër që qytetarëve u shiti llumin për naftë, për llogari të familjes së tij dhe shkatërroi mushkëritë e ajrin e qytetarëve. “U thotë jam qytetar si ju e ju jeni kryeministra e ministra, por ndërkohë shpalli fushatë në dietë dhe fluturon qytet më qytet me helikopter të paguar nga taksat e shqiptarëve”, tha Rama. Ai shprehu bindjen se qytetarët e Tiranës nuk do të japin votën për kukullën që kanë vendosur të kandidojnë Saliu dhe Iliri. “Qytetarët nuk do t’ua japin kurrë votën atyre që i bllokuan dhunshëm Këshillin Bashkiak dhe që tani duan ta marrin peng Tiranën, siç kanë marrë peng Shqipërinë. Tirana do nisë të vrapojë me shpejtësi drejt të ardhmes dhe me padurim, sapo ta ketë Këshillin Bashkiak. Saliu nuk do të ketë më fuqinë bllokuese që i dha Iliri”, theksoi Rama. Duke ju referuar konkretisht lagjes së kombinatit që bën pjesë në njësinë numër 6, Rama tha se kishte shkuar aty për të kërkuar votën, për atë që është sot kryetarja e njësisë bashkiake, por deri më 8 maj. “Më 8 maj, kryetari i kësaj njësie do të zgjidhet Krenar Cenollari. Asnjë votë Ilirit dhe asnjë pjesë të stërzgjatur të pemës së kapur të pushtetit të Saliut”, tha Rama. Kandidati për Tiranën theksoi se i sheh me pezmatim autobusët e linjës Kombinat-Kinostudio, që kanë mbetur pas autobusëve urban të standardeve të BE-së, që lëvizin sot kudo nëpër Tiranë. “Qytetari i ‘21 dhjetorit’ ka edhe një arsye më shumë për ta votuar PS-në, për linjën e re të autobusëve që do vendosim sapo të na jepni shumicën edhe në Këshillin Bashkiak. Njerëzit e zakonshëm të kombinatit, socialistë dhe demokratë, bashkë me ata që votuan kryetaren e njësisë këtu, janë të detyruar të hipin në këta autobusë të vjetër e të papërshtatshëm. Kjo ndodh vetëm sepse Iliri dhe Saliu kanë bllokuar transformimin e kësaj linje autobusësh, duke bllokuar Këshillin Bashkiak. E kanë bllokuar me shpresën e mjerë se, duke hipur në autobus, qytetarët e kombinatit, prindërit dhe të moshuarit do të mallkojnë Bashkinë e Tiranës”, insistoi Rama. Kanë bllokuar, shtoi ai, plot projekte të tjera në të mirë të qytetarëve, por as Saliu e as Iliri, nuk kanë qëllim tjetër veçse qëllimeve të bllokut të kusarisë. “Atë bllok, qytetarët e Tiranës do ta hedhin bashkë me plehrat e ditës së 8 majit, për ta përpunuar në fushën e mbetjeve të kombinatit”, këmbënguli Rama. Më herët, kreu i socialistëve ishte në Pogradec ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, Artan Shkëmbi. “Nga qeveria e sotme, nuk ka asnjë investim për Pogradecin. Me Shkëmbin në krye të bashkisë, është Pogradeci që ne duam. Pogradecarët do të votojnë pa ngurrim, pasi PS është e vetmja rrugë. Saliu dhe Iliri nuk kanë vota për të marrë, por llogari për të dhënë”, deklaroi Rama. Sipas tij, më 8 maj, vota popullore do të këpusë zinxhirin e të këqijave. “Ne kemi fituar 4 beteja të njëpasnjëshme në Pogradec, tani do të fitojmë të gjithë Shqipërinë”, u shpreh kandidati për Bashkinë e Pogradecit, Artan Shkëmbi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›