Padia e PS-së në Kolegj, KQZ në vështirësi për fletët e votimit
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për kërkesat ankimore që Partia Socialiste pritet të dorëzojë sot, mund të krijojë probleme për KQZ-në lidhur me prodhimin e fletëve të votimit. Kjo, pasi deri në një vendimmarrje të Kolegjit Zgjedhor, KQZ nuk mund të përcaktojë termat teknikë dhe financiarë të ankandit për prodhimin e fletëve të votimit. Duke ditur se tashmë mbeten jo më shumë se 25 ditë nga dita e zgjedhjeve, vendimi për prodhimin e fletës së votimit duhet të merret sa më parë, pasi ato duhet të jenë gati të paktën 5 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Për rrjedhojë, firma që do të fitonte të drejtën e prodhimit të fletës së votimit, në rast se tenderi do të zhvillohej sot, nuk do t’i mbeteshin në dispozicion më shumë se 20 ditë kohë. Kjo do të vinte në rrezik procesin në rast se fleta do të prodhohej jashtë shtetit, si në rastin e zgjedhjeve të qershorit 2009. Prandaj burime pranë KQZ-së kanë bërë të ditur se, edhe për arsye të kohës që është dispozicion, fleta mund të prodhohet edhe në vend. Prodhimi i fletës për zgjedhjet vendore është më problematik dhe më i vështirë se ai i zgjedhjeve parlamentare, sepse çdo komunë apo bashki do të ketë fletë votimi të ndryshme, si për kryetarin ashtu edhe për këshilltarët. Ndërkohë që këto zgjedhje kanë një specifikë që rrit shkallën e vështirësisë, pasi për kryeqytetin duhet të prodhohen 4 lloj fletësh votimit: për kryetar të njësive bashkiake, për anëtarë të këshillave të njësive bashkiake, për kryetar të bashkisë së madhe dhe një për këshilltarë të Bashkisë së Tiranës. Në total parashikohet të prodhohen një numër më i madh fletësh votimi, që arrijnë diku te 7.2 milionë fletë votimi.
Fleta ankesë
Fletët e votimit për kryetar dhe këshilltar të Bashkisë së Tiranës përfundojnë në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit. Partia Socialiste depoziton sot pranë kësaj gjykate kërkesën ankimore për të shpallur të pavlefshme dy fletët e votimit të miratuara vetëm pesë ditë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku midis të tjerave kandidatit të koalicionit opozitar “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama, iu hoq e drejta për t’u përfaqësuar edhe me siglat e partive që e përbëjnë këtë koalicion. Ankimimi i PS-së në Kolegjin Zgjedhor mund të sjellë probleme për vijimin e mëtejshëm të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve, pasi deri në vendimmarrjen e kësaj gjykate KQZ nuk mund të procedojë me prodhimin e fletëve të votimit që do të përdoren në të gjithë vendin më 8 Maj.
Fleta për kryetar
Në limitet kohore që përcakton Kodi Zgjedhor për ankimimin e vendimeve të KQZ-së, PS-ja në cilësinë e subjektit zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 Majit, pritet të paraqesë sot në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit kërkesën për të rrëzuar vendimin e para pesë ditëve të KQZ-së, për miratimin e modelit të fletës së votimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe për anëtarë të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit. Burime pranë PS-së kanë bërë të ditur dje se avokatët e kësaj force politike kanë përgatitur dy ankesa ankimore dhe me anë të të cilave goditen dy vendimet e KQZ-së për miratimin e fletës së votimit për kryetar të bashkisë dhe anëtarë të këshillit Bashkiak të Tiranës. Përsa i përket fletës së votimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, socialistët kundërshtojnë në Gjykatë si përmbajtjen e saj ashtu edhe mënyrën e votimit. Lidhur me përmbajtjen, ata vlerësojnë se vendimi i KQZ-së nuk garanton barazi për të gjithë kandidatët për kryetar bashkie. Në kërkesën e tyre socialistët argumentojnë se KQZ në mënyrë të qëllimshme në vendimin për miratimin e modelit të fletës së votimit, ka mbajtur dy standarde, duke favorizuar kandidatin e mazhorancës, Lulëzim Basha, emri i të cilit përveç emrit të koalicionit që e mbështetë, do të shoqërohet edhe me siglat e të gjitha partive politike që e përbëjnë këtë bashkim paraelektoral. Nga ana tjetër, avokatët e PS-së pretendojnë se kandidatit të opozitës, në mënyrë të qëllimshme, i është hequr e drejta për të qenë i barabartë në këtë garë zgjedhore, ashtu si edhe kandidati i mazhorancës, pasi nuk iu dha mundësia që të ketë në kuadratin e vet në fletën e votimit edhe siglat e partive që janë pjesë e koalicionit të tij mbështetës.
Fleta për këshilltar
Pjesë e ankimimit të socialistëve në Gjykatën e Apelit do të jetë dhe vendimmarrja tjetër e KQZ-së e po të njëjtës ditë dhe që ka të bëjë kësaj here me fletën e votimit për anëtarë të Këshillit Bashkiak. E ndërsa në rastin e parë socialistët pretendimet e tyre i ngrenë mbi të drejtën për të qenë të barabartë në garën zgjedhore, por pa një bazë ligjore; në rastin e fletës për këshilltar ata vlerësojnë se, në kundërshtim me ligjin zgjedhor, KQZ ka marrë vendimin për të renditur të dytin koalicionin opozitar “Aleanca për të Ardhmen”, pavarësisht se ka inicialet “AA”, pas koalicioni të mazhorancës “Aleanca për Qytetarin”. Socialistët në kërkesën e tyre theksojnë se një renditje e tillë është e padrejtë, pasi sigla “AA” nga ana e rendit gramatikor duhet të renditet e para. Këtë pretendim përfaqësuesit e majtë e ngritën dhe në mbledhjen e KQZ-së, por u kundërshtuan nga përfaqësuesit e KQZ-së, të cilët në përcaktimin e renditjes kishin marrë parasysh dhe lidhëzat apo nyjet që janë pjesë e emrit të çdo koalicioni. Por PS-ja në kërkesat e veta nuk godet vetëm përmbajtjen e fletëve të votimit, por edhe mënyrën e votimit, duke pretenduar se një akt i tillë duhet të miratohet me të paktën 5 vota dhe jo me 4 sa dhe u miratua.