E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Fier, premton statusin e naftëtarit



Në një takim në fshatrat e Fierit, Ilir Meta, premton statusin e naftëtarit, hapjen e 6 mijë vendeve të reja të punës në sektorin e naftës, duke mbrojtur dhe mjedisin për të mos dëmtuar banorët e kësaj zone. Krerë të LSI-së zhvilluan dje takime në Zharrë dhe në Portëz të rrethit të Fierit. Ilir Meta dhe Dritan Prifti vizituan zonën e puseve, e cila është krejtësisht e ndotur nga puset e naftës, që vazhdojnë të funksionojnë nëpërmjet teknologjive të vjetra dhe të konsumuara. Meta theksoi se dua të shpreh mirëkuptimin më të plotë për këtë problem dhe vështirësi që ka komuniteti juaj dhe është për të ardhur keq që nuk investohet për të mbrojtur shëndetin e banorëve të Zharrës dhe gjithë këtyre komuniteteve, ku ekzistojnë puse të tilla me teknologji të vjetër. Kreu i LSI-së u shpreh se është për të ardhur keq që këto mbetje nuk përpunohen, por përkundrazi shkojnë edhe në Seman, shkojnë edhe në det dhe dëmtojnë në këtë mënyrë mjedisin dhe turizmin në gjithë këtë zonë. Më pas, duke folur për bujqësinë, Meta theksoi se “ne i kuptojmë edhe problemet tuaja, që keni edhe për zhvillimin e bujqësisë, por nuk mund të kuptojmë absurditetin më të madh që një pjesë e banorëve këtu ndjehen të përjashtuar nga punësimi në sektorin e industrisë së përpunimit të naftës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›