Pas verifikimit, ILDKP: Argita Malltezi (Berisha), asnjëherë në funksion publik
Në një reagim zyrtar, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive bëri me dije se Argita Malltezi (Berisha) nuk ka rezultuar asnjëherë në funksion publik në administratën shqiptare. Reagimi i ILDKP-së erdhi pas një shkrimi në një të përditshme, e cila shkruante se Malltezi ka punuar si avokate e qeverisë. ILDKP shprehet më tej se Argita Malltezi (Berisha), si vajzë e Kryeministrit të vendit, ka zbatuar detyrimin ligjor dhe ka bërë deklarimin e pasurisë.
Argita Malltezi (Berisha) nuk ka rezultuar asnjëherë në funksion publik në administratën shqiptare. Këtë deklaratë bëri dje zyrtarisht Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Verifikimi i këtij inspektorati erdhi pas një shkrimi të publikuar në një të përditshme shqiptare, ku thuhej se Malltezi ka punuar si avokate e qeverisë shqiptare. “Znj. Argita Malltezi (Berisha), për Inspektoratin e Lartë, nuk ka rezultuar asnjëherë në funksion publik në administratën shqiptare”, - sqaroi në një deklaratë zyrtare ILDKP-ja. Në të njëjtën deklaratë, ILDKP-ja shprehet se Malltezi, vajza e Kryeministrit Sali Berisha, ka përmbushur detyrimin e saj për të deklaruar pasurinë. “Znj. Malltezi ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e interesave private në ILDKP, pasi sipas përcaktimit të ligjit, është “person i lidhur” me subjektin Sali Berisha, me funksion Kryeministër, bazuar kjo në nenet 21, 22 të ligjit nr. 9049, dt. 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” dhe nenin 14, pika 3 e ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Sipas përcaktimeve ligjore: “Kur pasuria e pjesëtarëve të familjes është e ndarë dhe e regjistruar si e tillë në organet e administratës shtetërore ose gjyqësore, deklarimi paraqitet veçmas nga çdo anëtar i familjes, me pasuri të regjistruar në emër të vet dhe i bashkëlidhet deklaratës së personit që ka detyrimin për deklarim”, - sqaroi më tej ILDKP-ja. Inspektorati bëri me dije se sipas vetëdeklarimeve të Argita Malltezit (Berisha), të ardhurat e saj kanë ardhur nga aktiviteti privat. “Në Regjistrin Themeltar të Subjekteve deklaruese në ILDKP, “personat e lidhur” sipas kuptimit të ligjit, marrin të njëjtin numër indeksi me zyrtarin që mbart detyrimin për deklarim dhe, pavarësisht aktivitetit të tyre profesional, rubrika “Institucioni ku ushtron detyrën” u shënohet e njëjtë me atë të vetë subjektit për efekt të referimit dhe saktësimit të lidhjes me zyrtarin. Edhe në rastin e znj. Malltezi, e cituar sot në artikullin e “Gazetës shqiptare”, bëhet fjalë pikërisht për këtë lloj plotësimi të kësaj rubrike. Sipas vetëdeklarimeve të dorëzuara në ILDKP, znj. Malltezi ka paraqitur si punësim dhe si burim të të ardhurave të saj fitimet nga ushtrimi i aktiviteti si juriste/avokate në një sipërmarrje private”, - thotë deklarata e ILDKP-së. Në të njëjtën deklaratë ILDKP shprehet: “Për të shmangur keqkuptimet të ngjashme në të ardhmen, ILDKP nisi prej ditës së sotme saktësimin e aktivitetit profesional të gjithë “personave të lidhur” me zyrtarët, të cilët deri më tani, për efekt referimi, në Regjistrin Themeltar të Inspektoratit të Lartë, u janë atashuar institucioneve ku ushtrojnë detyrat zyrtarët deklarues me të cilët kanë lidhje familjare”.