E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta në Qipro: Mbështesim një zgjidhje paqësore

Takimet Zv/kryeministri vazhdon turin diplomatik në Mesdheun Lindor

Turi i ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, i ndalur dje në Qipro ka sjellë disa përfitime me karakter praktik. Kështu, gjatë një takimi të zhvilluar dje me homologun e tij qipriot, Markos Kyprianou, është nënshkruar marrëveshja e shmangies së taksimit të dyfishtë që sjell përfitime për biznesin e të dyja vendeve. Po kështu, ministri qipriot ka premtuar 100 bursa në vit për studentët shqiptarë sidomos për degën e hoteleri-turizmit. Sipas njoftimeve të Zyrës së Shtypit të Ministrisë së Jashtme mbështetje i është premtuar Shqipërisë edhe në fushën 0e Integrimit Europian. “Ministri i Jashtëm qipriot rikonfirmoi mbështetjen aktive të vendit të tij dhe shprehu vullnetin për t’i ofruar palës sonë asistencë teknike në procesin e negociatave me Bashkimin Europian”, njofton Zyra e Shtypit të Ministrisë së Jashtme. Në këtë kuadër Meta Kyprianou ranë dakord për nënshkrimin e një protokolli të veçantë, për institucionalizimin e bashkëpunimit diplomatik dhe realizimin periodik të konsultimeve politike mes dy ministrive të Jashtme. Sikurse edhe pritej pikë ndarjeje në qëndrime është bërë Kosova, pavarësia e së cilës ka fituar terren të ri pa mendimit të dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Për shtetin e ri shqiptar në Ballkan, mendimet e shprehura takohen me konsensus vetëm në perspektivën europiane, e cila ka një vlerë specifike për qëndrimin e Qipros që ka problemin e ndarjes në dy zona etnikisht të ndryshme dhe me prirje separatiste nga ana e pjesë turke. Në këtë kuadër, ministri Meta ka dhënë një qëndrim të parë publik të Shqipërisë, i cili simetrizon përmbajtjen standarde të deklarimeve të bëra nga Qipro për Kosovën. “Për sa i takon çështjes së Qipros, z. Meta theksoi se Shqipëria ndjek një politikë të jashtme paqësore dhe se mbështet një zgjidhje të drejtë, në përmbushje të rezolutave të OKB-së dhe angazhimit të Bashkimit Europian”, njoftoi zyra e Shtypit. Në përfundim të bisedimeve zëvendëskryeministri Meta dhe ministri Kyprianou nënshkruan marrëveshjen midis dy vendeve për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›