E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Top Story: Votova i bindur se Nishani e meriton

Share

Duke iu përgjigjur pyetjes së parë të Sokol Ballës në Top Story, nëse pavarësisht klimës së frytshme të bisedimeve që u krijua mes dy spektrave të politikës shqiptare, zgjedhja e një figure të njëanshme si Nishani solli dështimin e procesit, kryetari i LSI, Ilir Meta, u përgjigj: Nuk është kështu. Mendoj se zgjedhja e presidentit të ri, i cili tani quhet Bujar Nishani, nuk ka qenë një zgjedhje aspak arrogante e maxhorancës, as e paramenduar dhe as e paragjykuar. Ishte rezultat i një procesi, i cili pati edhe disa të papritura apo devijime të tij, një proces që lidhej edhe me afatet kushtetuese që përcaktojnë zgjedhjen e presidentit, por edhe pasojën që vjen nga moszgjedhja, zgjedhjet e parakohshme, diçka që nuk i duhet vendit, sidomos kur ska mbaruar reforma zgjedhore dhe kur Kuvendi është në proces të marrjes së statusit të vendit kandidat, shpresojmë brenda këtij viti. Unë e votova Zotin Nishani dhe jam i qetë për këtë jo sepse votova një anëtar të kryesisë së PD apo një ministër të saj, por sepse unë në fund të fundit votova një koleg, për të cilin kam shumë konsideratë, sepse është një politikan shumë korrekt, shumë institucional, njerëzor dhe jam i sigurt që duke hequr kostumin e ministrit apo fanellën blu të PD-së dhe duke veshur kostumin e Presidentit të Republikës, do të dijë të përballojë me dinjitet këtë detyrë.

Qëndrimi i LSI-së, i njëtrajtshëm që prej fillimit deri në fund

I pyetur në lidhje me komentin e Ramës, që vlerësoi pozitivisht vetëm qëndrimin e Metës në dy raundet e para, kreu i LSI-së këmbënguli se qëndrimi i tij dhe forcës që përfaqëson ka qenë i njëtrajtshëm që prej fillimit të procesit. Qëndrimi im ka qenë në koherencë të plotë gjatë të gjithë kohës. Unë kam qenë vazhdimisht i qartë për një proces sa më konstruktiv dhe konsensual. Presidenti konsensual, më e mira ishte të merrte 140 vota. Unë u motivova në këtë proces, duke patur konsideratë faktin që zgjedhja e presidentit të mos bëhej burim tensioni mes palëve, duke qenë se kemi shumë reforma të tjera që e bëjnë të domosdoshëm këtë bashkëpunim dhe ndonëse maxhoranca e kishte shumicën, nuk duhet ta konfirmonte në një mënyrë arrogante. Zaganjori, për bindjen time të plotë, ishte një figurë e gjetur që i takonte një zone të ndërmjetme, e cila mund të bënte të mundur, për të gjitha palët të justifikonin konsensusin e tyre, por edhe ofronte disa garanci, për shkak të pozitës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, për shkak të karrierës akademike dhe për shkak të një përvoje diplomatike që do e konsideroja të suksesshme për atë periudhë. Përveç faktit që ishte votuar nga të dyja palët, pati disa elementë që e bënin të pranueshëm jëtë kandidaturë. Ndoshta humbëm një rast tek figura e Zaganjorit për konsensus, sepse do ta kishim të vështirë të gjenim një tjetër figurë, jo sepse nuk ka, por sepse ditën që të del emri për president nisin sulmet e shpifjet, e shumë njerëz nuk e dëshirojnë më këtë detyrë më pas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›