Meta pret në Shkodër homologun maqedonas, asnjë e dhënë për shkarkimin e Drinit

Shkodër, 13 Janar NOA Zëvendëskryeministri
dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta priti sot në Shkodër Zv.Kryeministrin
e Republikës së Maqedonisë Abdylaqim Ademi i cili po zhvillon një vizitë në
zonën e Shkodrës për të parë nga afër situatën e emergjencës së krijuar si
pasojë e përmbytjeve. Zyrtarisht asnjë e dhënë nuk u dha nëse në takim është
folur për shkarkimin ujit të Drinit duek provokuar prurje të tepërta në Fierzë.
Komunikata e MPJ thotë se Meta e falenderoi z.
Ademi në emër të Qeverisë shqiptare për ndihmën e dhënë nga Qeveria dhe
autoritetet e Maqedonisë si dhe për vëmendjen e veçantë që faktori shqiptar në
Maqedoni po i kushton situatës së krijuar.
Gjithashtu, z. Meta shprehu mirënjohjen e
thellë për ekipet maqedonase që po punojnë në terren për tu ardhur në ndihmë
familjeve të prekura si dhe theksoi se Qeveritë e dy vendeve po bashkëpunojnë
ngushtë për të minimizuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.
Z. Ademi nga ana e tij shprehu solidaritetin e
Qeverisë së Maqedonisë dhe në veçanti të faktorit shqiptar atje për popullin e
Shkodrës. Gjithashtu ai theksoi se Qeveria e Maqedonisë po ndjek me shumë
vëmendje situatën e krijuar në Shkodër dhe për këtë ka dërguar një ekip prej 43
personash me gjithë logjistikën teknike të nevojshme për të ndërhyrë në zonat e
përmbytura.
Z. Ademi e informoi z. Meta për vendimin e
djeshëm të Qeverisë maqedonase për të shtyrë afatin e qëndrimit të ekipit
maqedonas në Shkodër dhe shprehu gatishmërinë e plotë për të vazhduar ndihmën
edhe më tej në varësi të nevojshmërisë në terren.
Zv. Kryeministrat Meta dhe Ademi zhvilluan
edhe një vizitë pranë ekipeve maqedonase në terren për të parë nga afër punën
që po bëhet për menaxhimin e situatës.
Ndërkohë, dy ditë më parë, Akademik Farudin
Hoxha, projektuesi i digave të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin
deklaroi se nëse Maqedonia do realisht që të ndihmojë fqinjët e saj, duhet të
mbyllë portat në Strugë që ujërat e Drinit të mos mbërrijnë në Fierzë.
Në Institutin Hidrobiologjik për Liqenin e
Ohrit thonë se, me 15 m3 në sekondë, Liqeni i Ohrit do të ngrihet vetëm 1 metër
lartësi dhe do të pakësohen ujërat që vijnë nga Drini Zi mbi Fierzë me 35
milionë metra kub ujë.
Akademik Farudin Hoxha vlerëson në këtë pikë
se derdhja e ujit në lumin Drini i Zi në qytetin e Strugës, thonë specialistët
e Institutit Hidrobiologjik të liqenit, shkon 7 m3 në sekondë, e cila është e
barabartë me sasinë e ujit që hyn nga Shën Naumi.
Duke përmendur edhe marrëveshjen bilaterale,
Akademik Farudin Hoxha thotë: Qeveria shqiptare duhet të mbledhë me urgjencë
komitetin bilateral me shtetin maqedonas që të ndalojë derdhjen e ujërave nga
Liqeni i Ohrit në Drinin e Zi, i cili mbërrin në Fierzë.
Hoxha kujton faktin se është një marrëveshje
dypalëshe midis dy shteteve që nga viti 1956 (ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë),
për disiplinimin dhe menaxhimin e ujërave.
Edhe pse Shqipëria ndodhet para një situate
dramatike, pala maqedonase çuditërisht nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv- ka
përfunduar Akademik Farudin Hoxha, duke kërkuar me forcë që autoritetet e
Shkupit të mbyllin portat në Strugë që ujërat e Drinit të mos mbërrijnë në
Fierzë.
e.r/NOA