Prifti: Ju tregoj kur mund ta jap dorëheqjen

Ministri
u shpreh gjatë një konference për shtyp, se është i gatshëm të dalë në një
debat publik televiziv me çdo person të stafit të Edi Ramës për të bërë
transparencë përpara çdo shqiptari për çdo gjë të ndodhur gjatë dy javëve të
fundit
Tiranë, 13 Janar NOA Update - Ministri i Ekonomisë,
Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka deklaruar se opozita nuk ka të
drejtë ligjore e morale për ti kërkuar atij dorëheqjen dhe se këtë mund të
bëjnë vetëm kryeministri i vendit dhe kryetari i LSI-së.
Prifti u shpreh gjatë një konference për
shtyp, se është i gatshëm të dalë në një debat publik televiziv me çdo person
të stafit të Edi Ramës për të bërë transparencë përpara çdo shqiptari për çdo
gjë të ndodhur gjatë dy javëve të fundit.
***
Në fillim, kreu i METE-s nënvizoi faktin se të
gjithë zyrtarë me të lartë të vendit, por edhe të huaj, e kanë përgëzuar për
menaxhimin e mirë që i bëri sistemit energjetik në këtë kohë me prurje të
jashtëzakonshme.
Gjatë gjithë këtyre ditëve ju keni dëgjuar që
edhe nga opozita ka pasur akuza të përditshme, kërkesa për dorëheqje për mua
dhe për kryeministrin. Unë po them që të drejtë ligjore dhe të drejtë morale
për të kërkuar dorëheqjen time nga detyra ka vetëm dy persona, tha Prifti.
Njëri quhet Sali Berisha, është kryeministër i vendit dhe vetëm ai ka të drejtë
ligjore e morale të gjykojë punën time, se si e kam bërë dhe pastaj të kërkojë
dorëheqje apo të falënderojë për punën, siç më ka falënderuar. Personi i dytë
quhet Ilir Meta, që është kryetari i partisë sime. Duke qenë se jemi në një
koalicion ai ka të drejtën morale të më kërkojë mua të largohem nga detyra nëse
nuk përmbush përgjegjësitë dhe detyrimet e mia si ministër. Edhe ai person mua
dhe të gjithë punonjësit i ka falënderuar për detyrën e bërë me sakrifica dhe
gjithë përkushtim.
Më tej, ministri i Energjetikës ftoi kreun e
opozitës që të zgjedhë një person nga stafi i tij për të dalë në një debat
publik dhe nëse nuk e ka guximin ta bëjë këtë bën mirë të heshtë e të mos
shpifë.
Ata që më akuzojnë për korrupsion, për
shkelje rregulloreje, për shkelje ligji, për udhëtime turistike jashtë shtetit,
për çfarëdo qofshin, unë po i bëj një thirrje të drejtpërdrejtë zotit Rama.
Zgjidh njeriun më të mirë që ke në stafin tënd, zgjidh atë që e ke ministër
hije të energjetikës ose e ke ministër të ardhshëm të energjetikës nëse do të
vish ndonjëherë në pushtet dhe unë e ftoj të dalë me mua në debat publik.
Zgjidheni ju televizionin, zgjidhni ju studion, moderatorin dhe çfarë të doni
tjetër. Zgjidhni njeriun të vijë përballë meje dhe ti tregojmë të gjithë
shqiptarëve çdo gjë. Si e kemi bërë punën, me ligjin përpara, me vendimet e
qeverisë përpara, me rregullore përpara, çdo gjë. Nëse nuk ke guximin të vësh
përballë meje njeriun tënd më të mirë që të bësh transparencë përpara të gjithë
shqiptarëve, atëherë pusho, mos shpif, mos trillo dhe mos ofendo ata njerëz të
cilët kanë punuar me përkushtim 24 orë për ti dhënë të gjithë shqiptarëve
drita dhe për ta lehtësuar sa më shumë situatën e njerëzve që janë të përmbytur
në zonën e Shkodrës dhe nënShkodrës.
Sot mund të deklarojmë me garanci për
një rikthim në normalitet të kaskadës së Drinit. Kemi një nivel të ujit në
liqenin e Fierzës rreth 290 metër. Kemi një nivel në Koman 170 metër dhe në
Vaun e Dejës niveli i ujit në liqen është 74 metër. Pra një situatë krejtësisht
normale përsa i përket kaskadës, - deklaroi Prifti.
Unë, - vijoi ai, - jam përpjekur gjatë gjithë
periudhës së vështirë për të gjithë punonjësit e sektorit energjetik në vend të
jem sa më shumë i pranishëm për të dhënë sa më shumë informacion dhe për të
bërë sa më shumë transparencë në këtë kohë.
Prifti tha më pas se situata u përballua me
një sakrificë dhe përkushtim të madh nga i gjithë sektori.
Unë sot të gjithë punonjësve të sektorit
energjetik në Shqipëri u kam dërguar një letër falënderimi, sepse kemi kaluar
një situatë shumë të vështirë, e cila e godet një vend një herë në 100 vjet, -
tha Prifti duke theksuar se u përballua me shumë sakrificë, por me sukses.
Nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e
Shqipërisë që ne të prodhonim 29 milionë kilovat/orë energji në ditë nga
sistemi energjetik. Kjo ishte një thyerje rekordi. Nuk kishte ndodhur asnjëherë
në historinë e Shqipërisë që ne të eksportonim 12 milion kilovat orë në ditë.
Sistemi ynë energjetik në këtë situatë ka thyer rekorde dhe janë të gjithë
rekorde suksesi, sepse në asnjë moment nuk patëm asnjë defekt, nuk patëm asnjë
avari. Jam vërtetë i kënaqur dhe krenar mund të them me të gjithë ata punonjës
që përballuan këtë situatë të vështirë, - theksoi Prifti.e.r/NOA