E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: Fushata e shpifjeve ndaj Mediut, skenar i opozitës dhe Prokurorisë

Nënkryetari i Partisë Republikane, Neritan Alibali, ka hedhur poshtë disa shkrime të mediave, ndaj kreut republikan Mediu, duke i cilësuar ato manipulim në shërbim të opozitës. Në shërbim të interesave të opozitës dhe manipulimit të së vërtetës, disa media të shkruara e vizive, kanë nisur e zhvilluar një fushatë të gjerë shpifjesh e manipulimesh ndaj Fatmir Mediut, kryetar i PR-së, lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Është e qartë që ky është një skenar i organizuar nga opozita socialiste dhe klane politike të lidhura me Prokurorinë e Përgjithshme, e cila pas një hetimi të njëanshëm e manipulues, pasi nuk mori në pyetje as edhe një herë të vetme Fatmir Mediun, ndërsa pretendonte se do ta zbardhte deri në fund të vërtetën, ka kryer një veprim edhe më të paligjshëm, u ka përcjellë e u përcjell mediave të gjithë materialin hetimor, vetëm e vetëm për të shkaktuar një kakofoni mediatike e për të fshehur të vërtetën dhe shkaktarët e kësaj tragjedie, theksoi Alibali. Sipas tij, këto media, të vëna në shërbim të opozitës socialiste, pasi nuk kanë arritur të gjejnë as edhe një lidhje mes Fatmir Mediut dhe atyre qe kishin interes biznesi, siç pretendonin e shpresonin, tashmë dalin me pretendime të tjera qesharake, që Mediu na paska takuar kaq e aq herë vartësit e vet, apo nëse është takuar ose jo Fatmir Mediu me djalin e Kryeministrit. Nënkryetari i PR-së deklaroi se Fatmir Mediu e njeh kryeministrin dhe familjen e tij që nga viti 1991, ndaj ai është takuar me Shkëlzen Berishën, është takuar me Edi Ramën, Ilir Metën, me deputetë e politikanë të djathtë e të majtë, me përfaqësues të medias e qytetarë të thjeshtë, për çdo problem e pa i njohur, duke besuar se ky është një detyrim etik e moral i çdo zyrtari të lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›