E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta prezanton Spartak Brahon në zonën e Dushkut

31/05/2005  Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar dje takime me elektoratin e Tërbufit, ku ka theksuar se populli i Dushkut do t’i tregojë vendin e merituar atyre që futën Dushkun në historinë e hidhur të manipulimit të zgjedhjeve. "Ju jeni të vendosur për të kthyer 3 korrikun në ditën e Referendumit të madh kundër së keqes", tha Meta. Gjatë mitingut u prezantua kandidati për deputet i LSI-së në zonën nr.62, juristi Spartak Braho. Duke marrë fjalën në mes të entuziazmit të të pranishmëve, kryetari i LSI-së, Meta shprehu mirënjohjen për banorët e Tërbufit, për mbështetjen e gjerë dhe të padiskutueshme që po i japin Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kandidatit të saj për deputet. Meta theksoi se populli i kësaj zone është përdorur dhe është lënë krejtësisht në harresë nga qeveria aktuale. Ndaj duke votuar për LSI, u shpreh Meta, ju votoni për të tharë njëherë e mirë kënetën Nano-Berisha, për të mos lejuar më që askush të luajë me fatin dhe dinjitetin tuaj. Vetëm LSI do të mbështesë Myzeqenë për t’u zhvilluar, duke rimëkëmbur dhe zhvilluar bujqësinë dhe infrastrukturën e saj të dëmtuar, si dhe duke garantuar një sistem kreditimi mbështetës dhe nxitës për të gjithë fermerët, duke realizuar konkretisht uljen e kostos së prodhimit, nëpërmjet heqjes së akcizës për karburantet për mekanikën bujqësore dhe për serat. Njëkohësisht, duke iu drejtuar banorëve të zonës, Meta u shpreh se, duke votuar Spartak Brahon, ju keni zgjedhur avokatin e interesave dhe halleve tuaja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›