E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano: Meta zëvendës i Berishës në Qeveri

31/05/2005  "Ju e mbani mend Genc Rulin, se si e çoi në prokurori për drurin e arrës, e ka futur në rreshtin e kandidatëve të humbjes"

Kreu i PS mënjanonë ftesat ndaj LSI, nis sulmin ndaj opozitës dhe të larguarve

Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, duket se i kanë lënë pas ftesat për rikthimin e Ilir Metës në PS, duke nisur akuzat kundër tij, si dhe kreut të opozitës, Sali Berisha. Madje, gjatë takimit të zhvilluar dje në Burrel, Nano është shprehur se me votimin pro Berishës dhe Metës, të cilin e ka cilësuar zëvendësin e kreut të opozitës në qeveri, do të mbështetet strategjia kundër lirisë. Me tone të ashpra, Nano është shprehur se Berisha nuk ka dhënë prova për luftën kundër korrupsionit. Në këtë pikë, duket se Nano ka atakuar dhe kandidatin e PD-së në Gjirokastër, Genc Rulin. "Ju e mbani mend edhe Genc Rulin, se si e çoi në prokurori për drurin e arrës, tani pa asnjë shpjegim, apo ndjesë, e ka futur në rreshtin e kandidatëve të humbjes", tha Nano, duke rikujtuar incidentin e rreth 10 viteve më parë.

Sulmi

"Nga liria dhe sistemi demokratik që mbrojtëm dhe konsoliduam në Shqipëri kanë përfituar të gjithë. Më shumë ka përfituar Sali Berisha dhe Ilir Meta. Dhe kjo sepse ne nuk trembim askënd, por besoj e dini, deri te fëmijët në bark të nënës, se Berisha Kryeministër dhe Meta zëvendësi i tij, do të thotë të rrezikosh lirinë dhe sistemin demokratik, qytetarin dhe institucionet, pronën dhe sipërmarjen, jetën dhe të ardhmen.

Këta dy burra sot duken disi normalë, sepse lëvizin në një sistem lirie, të cilin e mbrojmë ne, por, po ra ky sistem në duart e tyre, që as në vitin 2005, nuk po lejojnë konkurrim dhe opozitë për vete, jemi të gjithë shumë të rrezikuar", tha Nano. Nga ana tjetër, Nano i ka kujtuar elektoratit investimet e bëra gjatë të 8 viteve, ku PS ka mazhorancën. "Ne jemi krenar, sepse i kemi kthyer normalitetin Shqipërisë dhe Malësisë, kemi vendosur këtë demokraci të vërtetë ku të gjithë lëvizin lirisht me iniciativa për zhvillim. Ju e dini që 8 vjet më parë nuk morëm në dorëzim as shtet dhe as pushtet, që vendi ishte i shkatërruar në themel, me njerëz të tmerruar, të zhvatur, pa shpresë. Ju e dini kush e solli atë gjendje. Vazhdoni t’u tregoni bijve tuaj se çka ndodhi në '97-ën dhe pastaj lerini të lirë të gjykojnë dhe të marrin vendimin për të votuar dhe mbrojtur të ardhmen", tha Nano.

Ftesa

Në fjalën e tij, Nano ka pranuar se dhe PS ka pasur abuzues, të korruptuar apo trafikantë, "por ju siguroj se i kemi zbuluar dhe i kemi ndëshkuar ligjërisht e jo me mallkime ujku, si hipokriti Berisha". Sipas kryesocialistit, në kohën e Berishës doganat dhe tatimet drejtoheshin nga shoqata e biznesmenëve demokrat, nga të përndjekurit falso dhe jo nga të vërtetët, nga firma famëkeqe “Shqiponja”, që theu embargon ndaj Jugosllavisë dhe furnizoi me naftë Millosheviçin. Megjithatë, ai tha se nuk mund të dërgohen në prokurori 300 doganierë, pas pasur prova. Duke vijuar sulmin ndaj Berishës, Nano theksoi: "E dëgjuat Berishën se çfarë tha; do e fusë Shqipërinë në BE pas 5 vjetësh. Ai vetëm në Konferencën Islamike dhe në hartat e zeza e ka futur deri tani Shqipërinë".

Nga 100 deputetë, PSSH ka ndryshuar 52, ose më shumë se gjysma. Ky ndryshim nuk rrjedh nga interesa elektorale, por nga nevoja për zhvillim, për pastrim, për përkushtim dhe energji më të mëdha për ju

Unë e di se ka të korruptuar që i kanë shpëtuar ndëshkimit ligjor, sepse edhe vetë sistemi i drejtësisë vuan nga disa sëmundje. Unë ju garantoj se mandatin e ri do të merremi edhe më mirë me sistemin e drejtësisë

Asnjë prokuror apo gjykatës s'do të lejohet të pasurohet, duke shkelur ligjin dhe të drejtat tuaja. Ne do t’i pastrojmë trupat e togave të zeza nga të korruptuarit dhe do garantojmë drejtësi për të gjithë.

Ju garantoj se asnjë individ me hije nuk do mundet të ulet më në tryezën e punës së qeverisë së re. Përzgjedhja e ekipit të ri qeverisës do fillojë nga morali dhe karakteri.

Berisha i vjetër përbetohet për ndershmëri dje, sot dhe nesër. Më thoni një rast kur ky mashtrues politik ka ndëshkuar korrupsionin e të vetëve, kontrabandën e të vetëve, trafiqet e të vetëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›