E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moisiu kthen ligjin për përgjimin e policëve

31/05/2005  Kreu i Shtetit ndërhyn mes sherrit të Komisionit të Ligjeve me të Rendit

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka vendosur të mos e dekretojë ligjin e miratuar në parlament mbi Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se në draftin e miratuar janë vënë re cënime të ligjit mbi përgjimin e shtetasve, si dhe të të drejtave të njeriut. Faktikisht, mbi këtë projekt të qeverisë janë zhvilluar debate mes Komisionit të Ligjeve dhe atij të Sigurisë Kombëtare. Gjatë diskutimit në këtë komision të fundit, është vendosur që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit të kishte të drejtën e policisë gjyqësore në hetimin e forcave të rendit. Hetimet përfshinin përgjimin e telefonisë, videove, përgjimit në terren etj. Por përfaqësuesit e Komisionit të Ligjeve janë shprehur se në ligjin mbi përgjimin janë përcaktuar qartë se cilët janë funksionarët që bëjnë përgjimin dhe si janë procedurat e përgjimit. Sipas tyre, në rast se do të ketë ndryshim të organeve që bëjnë përgjimin, ai duhet të përcaktohet në ligjin bazë. Kjo dhe për vetë faktin se ky ligj është që përcakton dhe mënyrën e përgjimit të një personi, duke zbatuar si të drejtat e njeriut, ashtu dhe kërkesat e Kushtetutës. Por, pas disa javë diskutimesh, parlamentarët kanë miratuar me shumicë votash propozimin e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, që është kthyer dje prej Presidentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›