PS prezanton kandidatët e Elbasanit
31/05/2005 ELBASAN - PS ka prezantuar dje Bukurosh Stafën dhe Valentina Leskajn, si kandidaturat për zonat 55 dhe 56 të Elbasanit. Në prezantimin e tyre kanë marrë pjesë, Fatmir Xhafa, Et'hem Ruka dhe Petro Koçi. Ky i fundit ka theksuar veçoritë e kandidatëve socialistë në këto zgjedhje, të cilët, sipas tij, janë më të mirët dhe do të fitojnë. Ndërkohë, kandidati Stafa ka deklaruar fitoren jo vetëm për të si kandidat, por edhe për forcën politike që përfaqëson në katër vitet e ardhshme. Prezantimi ka vazhduar më një tjetër emër të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj. Ajo është cilësuar nga të deleguarit e Partisë Socialiste si një figurë që, sipas tyre, ka një dimension të jashtëzakonshëm në jetën civile dhe politike në Shqipëri. Ndërkohë vetë kandidatja për deputete ka deklaruar se ajo i përket socialistëve, pasi ata janë të vetmit që dinë të qeverisin mirë dhe të çojnë Shqipërinë drejt integrimit evropian.