Meta prezanton Viranin kandidat në zonën 37
11/05/2005 Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka prezantuar kandidatin për deputet në zonën elektorale numër 37, në kryeqytet, sekretarin e Përgjithshëm të Federatës së Mundjes, Viron Bezhani. Gjatë takimit me banorë të kësaj zone, Meta është shprehur se "me votat e zonës suaj, Vironi do të jetë deputet në parlament, jo vetëm si përfaqësues i denjë i juaji, por si një simbol i komunitetit sportiv mbarëshqiptar, i cili është ndjerë për fat të keq i papërfaqësuar gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, sepse edhe ata figura të sportit, që mund të jenë zgjedhur në të shkuarën, në funksione të ndryshme, më shumë janë konceptuar si pjesë e dekorit të partive, apo qeverive përkatëse, por jo si përfaqësues të vërtetë të komunitetit sportiv, që janë në gjendje të ngrejnë shqetësimet më të mëdha që ka sot sporti në Shqipëri. Këta pushtetarë të papërgjegjshëm, mbajnë përgjegjësi për papunësinë e jashtëzakonshme, me të cilën ndeshen shqiptarët sot. 140 mijë vende pune më pak se katër vite më parë, janë regjistruar ne vend. Ndërkohë që këta pa u skuqur fare nga turpi për këtë që kanë bërë, premtojnë 100 mijë vende të reja për katër vitet e ardhshme". Ndërsa, nga ana e tij, Bezhani është shprehur se "kam bindjen se me fitoren e LSI-së do të fitojë dashuria mbi urrejtjen, drejtësia mbi padrejtësinë, gëzimi mbi trishtimin e mungesën e shpresës që po përjetojnë të gjithë qytetarët. Do të fitojë dinjiteti i nëpërkëmbur nga poshtërimi që i është bërë qytetarëve këto 15 vjet tranzicion".