Rigjysmëfeudalizimi i shoqërisë
11/05/2005 Përtej frikës fare të kotë se mos kthehemi në vitin 1997, në fakt, në disa drejtime, ne jemi kthyer paradoksalisht dhe sillemi si në kohë shumë më të largëta parakapitaliste.
Pasi i kemi ikur shoqërisë socialiste, tani kemi mbetur vendnumuro, duke mos mundur të çmontojmë strukturat shoqërore parakapitaliste dhe gjysmëfeudale, që janë rikthyer në mënyrë paradoksale.
Gjendja e politikës, e lëvizjes sindikale, e lidhjeve shoqërore, e familjes, e marrëdhënieve midis burrit dhe gruas, shkalla e lartë e korrupsionit, sjellja e disa administratorëve dhe politikanëve etj., kanë lidhje pikërisht me këtë rikthim të parakapitalizmit si rigjysmëfeudalizim i shoqërise.
Përpara se të synojmë t’i afrohemi Evropës, duhet të kërkojmë të mos i largohemi edhe më shumë asaj.
Kërkohen programe politikë afatgjatë për t’i ikur parakapitalizimit dhe rigjysmëfeudalizimit të shoqërisë shqiptare.
Dhënia pas intrigës së ditëpërditshme
Përtej politikës së ditës ndodhin procese afatgjata, që transformojnë të gjithë shoqërinë. Ndofta shikimin mund ta mbajmë lidhur me ndonjë ngjarje politike që propagandohet nga zëdhënësa naivë dhe pa asnjë aftësi profesionale në komunikimin publik, sikur ajo të ishte kyçi i historisë së sotme të vendit, por që, në fakt, po ta shohësh më nga afër, del se nuk është veçse diçka që do të harrohet pas jo më shumë se dy ose tri javësh. Po kështu, në këto ditë të nxehta politike përpara hapjes së fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, shikimi i propagandistëve të ndryshëm, që harxhojnë pa hesap dhe rendiment, në mënyrë të privilegjuar, kohën në media kthehet pas, ndofta drejt një periudhe të shtatë apo tetë vjetëve më parë, duke krijuar paradoksin e pafalshëm për të kërkuar pista drejt së ardhmes, thjesht nëpërmjet ripërtypjes pa e tretur të një kujtesë historike të traumatizuar, sikurse ka qenë ajo e viteve 1997 dhe 1998. Ndërkohë, kanë pushtuar mediat sharjet e thjeshta politike personale, të cilat nuk i thonë asgjë qytetarit të thjeshtë; gjithkund hyjnizohet vetvetja e vetes në mënyrë lejfeniste.
Kjo perde shërben për të mbuluar disa realitete që prej kohësh po zënë vend gjithnjë e më shumë në shoqërinë shqiptare dhe, që megjithë rëndësinë tyre, përsëri nuk hyjnë që nuk hyjnë në tematikën e debateve politike, që zhvillohen nëpër kongrese partie, media apo në mitingje elektorale.
Megjithatë, prirjet afatgjata të shoqërisë kanë nevojë të njihen, sepse në një farë mënyre ato rrënjosen si pa e kuptuar dhe ndonëse askush nuk i konsideron si shtratin, mbi të cilin ngrihet politika dhe e gjithë jeta jonë shoqërore, nëse janë negative, ato duan shumë kohë për t’u çmontuar.
Kahja e ndryshimit shoqëror
Qysh prej ndofta dy shekujsh progresi shoqëror ishte menduar si një utopi shoqërore, që niste nga një tip i caktuar shoqërie për të shkuar gradualisht dhe në mënyrë drejtvizore drejt shoqërive të tjera më të zhvilluara, sikurse i konsideronte atëherë një pjesë e mendimit ekonomik, filozofik dhe shoqëror botëror.
Atëhere thuhej se nga feudalizmi shoqëria rrëshqiti gradualisht drejt kapitalizmit dhe prej andej supozohej se do të kalonte drejt një shoqërie gjoja edhe më të lartë, sikurse do të ishte socializmi dhe komunizmi.
Nuk do të ishim zgjatur në paraqitjen e kësaj utopie, nëse nuk do të vinim re se edhe sot e kësaj dite vështrimi i shumë politikanëve dhe atyre që vinë në politikë nga bota e shoqërisë civile do të riprodhonte po këtë konceptim parafabrikat për drejtimin ngurtësisht të përcaktuar, do të thoshja të paracaktuar, të kahjes së ndryshimit shoqëror.
Në fakt, qysh prej pesëmbëdhjetë vjetësh u përmbys skema ideologjike e së kaluarës, sepse në vend të shkohej nga kapitalizmi në komunizëm, u pa qartë se shoqëria bëri një lëvizje krejtësisht në kahje të kundërt, pra pasi u çmontuan strukturat institucionale dhe shoqërore komuniste, në të gjithë vendet e Lindjes, duke përfshirë edhe vendin tonë, lëvizja shoqërore shkoi në drejtim të kundërt të parashikimit të ngurtë utopik të kohëve të mëparme, duke i bërë masat të kërkojnë një shoqëri tregu, pra kapitaliste.
Në fakt kjo është prirja e përgjithshme e shoqërisë sonë që, pasi ka hedhur hapat e para drejt një ekonomie tregu dhe një modeli disi demokratik të institucioneve politike dhe të shtetit, priret drejt një hapjeje globale me botën e sotme moderne, kërkon të përafrohet me realitete të sotme të një shoqërie demokratike tregu si vendet e Evropës së Bashkuar, apo me realitete politike dhe ushtarake sikurse janë NATO etj.
Pavarësisht kësaj prirjeje të përgjithshme, përsëri nuk mund të thuhet aq kollaj sikurse bëhet në zhargonin ideologjik të ditëve tona në Shqipëri, se gjithçka po shkon pa hezitime, lëkundje dhe dilema të forta nga socializmi në kapitalizëm, nëse modelin ekonomik dhe politik të asaj shoqërie, ku aspirojmë të drejtohemi do ta quanim me këtë emër.
Është fjala pra për modelin e sotëm të shoqërive perëndimore.
Në fakt, po të mbanim këtë skemë të ngurtë në mendje do të rrezikonim të përsërisnim po atë përfytyrim utopik të shekujve të kaluar, ndonëse në kahje të kundërt. I pari, ai i dikurshmi, do të tregonte drejtimin nga kapitalizmi në socializëm dhe i dyti, ky i sotmi, nga socializmi në kapitalizëm. Pa dyshim, kjo është prirja e sotme. Në një farë mënyre, shoqëria hyn në disa rrjedha normale të saj, sepse rifillon të njohë barazinë politike të qytetarëve, të mbajë parasysh se individi drejtohet në radhë të parë nga interesi i tij personal, se shteti që kërkon të planifikojë dhe organizojë gjithçka në fund të fundit e gllabëron të gjithë shoqërinë, se liria e fjalës dhe e opinioneve të lira, është kushti i domosdoshëm për të ruajtur dinjitetin dhe integritetin e njeriut dhe kështu me radhë.
Megjithatë, edhe tani lëvizja historike nuk është dhe nuk mund të jetë as drejtëvizore dhe as lineare. Krahas formave moderne të marrëdhënieve të shoqërisë kapitaliste, të ngjashme me ato që shpalosen në vende të tjera, në Shqipëri, sikurse edhe gjetiu në zonën tonë gjeografike apo edhe më gjerë, vihen re të rilindin edhe forma parakapitaliste të institucioneve të pronësisë, të administratës, të prodhimit apo edhe të shpërndarjes. Kur theksojmë këtë aspekt të dytë e kemi fjalën pikërisht te fakti që rilindin forma lidhjesh shoqërore, të cilat kanë qenë karakteristike për periudhën parakomuniste në Shqipëri, pra kanë ekzistuar në kushtet e një shoqërie me tipare të theksuara të një kapitalizmi fare të pazhvilluar dhe me tipare gjysmëfeudale të qarta. As që bëhet fjalë që këto tipare të mund të krahasohen me ato të kapitalizmit të sotëm tepër të zhvilluar perëndimor.
Një mpleksje e tillë e paskomunizmit me forma bashkëkohore të kapitalizmit dhe parakapitalizmit i jep në fakt tiparet e veta të gjithë jetës sonë ekonomike dhe shoqërore.
Modernizimi duket gjithandej dhe nuk duhet mohuar kurrsesi. Firma të ndryshme të huaja janë instaluar në Shqipëri. Mjaft pronarë vendas kanë tashmë një kapital të përqëndruar në mënyrë të ndjeshme dhe nuk mungojnë të nxisin forma tepër bashkëkohore prodhimi, duke përdorur gjerësisht një teknologji tepër të zhvilluar. Po kështu marrëdhëniet mall-parà mbizotërojnë tregun, duke përfshirë edhe atë të fuqisë punëtore. Institucioni i pronësisë private dhe i trashëgimisë është përhapur në mënyrë të rrufeshme.
Megjithatë, veç kapitalizmit zhvillohet edhe parakapitalizmi dhe rigjysmëfeudalizimi në të gjitha aspektet e tyre, pra në mendësitë e njerëzve, në format e pronësisë, në përdorimin e ngushtë të lekut në fushën e shkëmbimeve, në teknologji dhe në shumë aspekte të tjera.
Duket sikur shoqëria sapo bën përpara drejt formave më efikase të prodhimit dhe të organizimit shoqëror aq edhe bën pas.
Sapo bën një hap përpara aq edhe tërhiqet në të kaluarën.
Sapo shkon drejt kapitalizmit të sotëm modern aq edhe riprodhon forma tejet të vjetëruara të organizimit të prodhimit, pikërisht nga ato forma që, pasi kishin ardhur në histori deri në vitet tridhjetë apo edhe dyzetë të shekullit të njëzetë, ishin shpërbërë përgjatë periudhës së industrializimit që ndërmori pushteti totalitar.
Nisur këtej mund të themi se shoqëria bën përpara duke njohur edhe kthime dhe rikthime të rëndësishme mbrapa në sfera të caktuara të saj.
Progresi shoqëror nuk duket të jetë as linear, as me zikzake, as në formë sintezash, por përbën një mpleksje heterogjene formash historike, lidhjesh shoqërore.
Prodhimi për vete si logjikë parakapitaliste
Kur përdorim fjalën parakapitalizëm e kemi kryesisht për shumë struktura prodhimi, që nuk i ngjajnë aspak asaj të një shoqërie të sotme të ekonomisë së tregut, por më shumë ngjasojnë me ato të një kohe të parazhvilluar - pothuajse parakapitaliste.
Në shumë ekonomi, kryesisht bujqësore dhe blegtorale, më tepër prodhohet për konsumin familjar të vetë prodhuesve sesa për tregun e madh të brendshëm, ose atë të jashtëm. Kjo nuk do të thotë aspak se në territorin tonë ekonomik nuk rriten dhe shumohen kopé të tërë bagëtish të imta, kryesisht dele, që japin prodhim masiv për treg, nuk do të thotë gjithashtu se nuk kanë filluar të shfaqen aty-këtu sipërfaqe me vreshta, apo me drithëra, që duken se nuk kanë logjikë tjetër, veç asaj të tregut. Pa mohuar këto realitete, që shfaqen aty -këtu, përsëri duhet pranuar se ato ende janë përjashtime të rralla sepse në pjesën më të madhe të saj, ekonomia jonë rurale funksionon jashtë tregut, duke i qarkulluar prodhimet dhe shërbimet e veta brenda rrethit të ngushtë të plotësimit të nevojave familjare, apo të një rrethi paksa më të gjerë fqinjësh.
E gjithë sa theksuam më sipër nuk ka të bëjë vetëm me strukturën e prodhimit të ekonomisë rurale, por shtrihet në një marrëdhënie shumë më të gjerë sesa kaq. Kjo ndodh për shkakun se popullsia rurale shfaqet në mënyrë shumë të dobët, si një masë konsumatore që duhej të dilte me kërkesën e saj masive në tregun e brendshëm. Ndofta po të përjashtojmë që këtej kërkesën e saj për disa materiale bazë ndërtimi, të cilat i përdor për banesa, nevojat e saj për konsum më shumë plotësohen nga tregu i jashtëm ose nga vetë prodhimi i familjes rurale sesa nga tregu i brendshëm privat.
Parë nga ky këndvështrim, parakapitalizmi shfaqet edhe në faktin se shumë hapësira ekonomike rurale dhe urbane kanë ngelur si territore ekonomikë të përgjumur. Ato përfaqësojnë më shumë tani zona gjeografike apo vendbanime pa përbërë aq shumë pasuri që të jenë të përfshira në një logjikë marrëdhëniesh tregu kapitalist.
Është e çuditshme të vihet re se si një shtëpi dy apo trekatëshe ngrihet mbi një kodër, apo zë një sipërfaqe toke bujqësore, duke u shpalosur si një ngrehinë vërtet e fuqishme, me shumë anekse, e ngritur me materiale ndërtimorë solidë, shpesh edhe me një arkitekturë interesante për kohën, plotë ballkone dhe me çati masive mbuluar nga tarraca apo me tjegulla të kuqe, të një cilësie mjaft të mirë. Është e padyshimtë që ky brez rural duket se po e fiton betejën për ndërtimin e banesave dhe po e rinovon në mënyrë të ndjeshme parkun e shtëpive të banimit për familjen rurale.
4. Dalja e një pjese të pasurive të patundshme të kombit nga logjika e tregut kapitalist
Ku qendron çudia atëherë?
Rreth e rrotull, dhe këtë do ta vinte re edhe një sy disi i shkujdesur, ngrehina e re nuk ka pothuajse asnjë lloj zone, ku të prodhohet për treg, asnjë lloj kulture bujqësore të kultivuar për treg, që do të justifikonte atë pasuri dhe fuqi financiare që do të duhej për të blerë materialet e ndërtimit në shërbim të ngritjes së shtëpisë së re të banimit.
Kuptohet lehtë se po të lëmë mënjanë të ardhura që vijnë nga veprimtari të tjera jashtë procesit të punës, burimi i domosdoshëm financiar ka qenë fluksi financiar i ardhur nga emigracioni. Nga kjo pikëpamje, puna e shqiptarit bëhet në një masë të konsiderueshme në emigracion dhe një pjesë e të ardhurave të tij riatdhesohet, duke u përdorur po për të blerë materiale ndërtimi, pajisje elektroshtëpiake apo produkte të tjera konsumi, për të cilat ka nevoja të ngutshme familja shqiptare.
Për rrjedhojë, puna e shqiptarit mbetet në një masë të konsiderueshme në emigracion, edhe paraja, pasi bën një qarkullim në hapësirën ekonomike shqiptare, e harxhuar për të blerë mallra importi, kthehet po andej nga ka ardhur dhe është nxjerrë, pra në territoret ekonomike të huaja, ku punon shqiptari emigrant, kurse në vendin tonë mbetet vetëm konsumi, i cili herë–herë është në nivele të kënaqshme, sikurse është rasti i ndërtimit të shtëpive të banimit në zonën rurale të vendit, ose mbetet edhe në nivele shumë të ulëta, sikurse është fjala për mjaft kërkesa që ka sot individi, që jeton në fshat apo në qytet. Sidoqoftë diçka dihet me siguri, cikli ekonomik kapitalist: punë për tregun – parà - konsum i të mirave materiale të blera në treg, lë jashtë veprimit të tij një hapësirë të madhe të zonave gjeografike të vendit, të cilat njohin një proces degradimi ekonomik, pikërisht sepse nuk kanë mundur të përfshihen në vorbullat e ekonomisë së sotme të hapur.
Parakapitalizmi shfaqet konkretisht, sepse në këto zona gjeografike gjenden banorë që ndërtojnë për familjet e tyre, pa prodhuar ose shërbyer për tregun, që konsumojnë mallra e tregut, pa dërguar në treg mallrat e prodhuara, apo shërbimet e ofruara nga sipërfaqet e tokës që kanë në pronësi.
Krijohet kështu një marrëdhënie ekonomike dhe shoqërore tepër komplekse. Nga njëra anë këto zona gjeografike të territorit shqiptar pa lidhje ekonomike me njëra-tjetrën, si në kohët gjysmëfeudale, hyjnë në marrëdhënie me shoqërinë e sotme globale, me tregun botëror, sidomos kur është fjala për fluksin e të ardhurave që vijnë nga jashtë dhe mallrat e blera të ardhura nga importi, nga ana tjetër të mirat materiale të paluajtshme vendase, sikurse është në radhë të parë toka, urat, rrugët dytësore, peizazhi, sistemi i kanalizimeve, pemët frutore, pyjet, livadhet etj., dalin nga logjika e qarkullimit ekonomik të kapitalizmit të sotëm dhe mbijetojnë ose duke dalë krejtësisht jashtë funksionit të tyre ekonomik, ose duke pasur nevojë për investime nga shteti.
Nga ekonomia shoqërore në ekonominë domestike parakapitaliste
Po kështu vihet re se një pjesë e madhe e ekonomisë kombëtare bazohet në forma marrëdhëniesh ekonomike, që kanë qenë tipike për marrëdhëniet parakapitaliste, sikurse është edhe ekonomia familjare apo domestike. Aktorët shoqërorë, që vënë në funksionim ekonominë kombëtare, po të heqësh prej këtej disa njësi ekonomike të mëdha të privatizuara, të dhëna me koncesione sipërmarrësve të huaj, apo që funksionojnë si investime të huaja, përgjithësisht pjesa dërmuese e sipërmarrjeve organizohen sipas një logjike familjare dhe jo si kolektiva punonjëse pa lidhje gjaku midis tyre.
Janë lidhjet familjare, ato mbi të cilat vendosen lidhjet profesionale brenda bizneseve të ndryshëm, po ashtu sikurse ndodhte kryesisht në prodhimin e vogël parakapitalist të zejeve, të ekonomive të vogla bujqësore apo tregtare të periudhave gjysmëfeudale të historisë së vendit. Kjo prirje mbizotëruese vihet re gjithandej, dhe ka të bëjë në radhë të parë me faktin se është familja shqiptare, që përbën në masë bazën e organizimit ekonomik të jetës kombëtare. Kjo gjë duket jo vetëm në bujqësi, ku prona e vogël bujqësore ka një natyrë pothuajse ekskluzivisht familjare, por edhe në qytet, ku kafenetë, dyqanet e bukës, kioskat e shitjes së çikërimave, lokalet e shumta në formë restorantesh, apo mejhanesh, si edhe një pjesë e madhe e ndërmarrjeve të shërbimeve, mbahen nga familje të veçanta.
Nuk po i hyjmë arsyetimeve të gjata se përse ndodh kështu. Kjo ka të bëjë sidomos me faktin se jemi ende në një periudhë shumë fillestare të grumbullimit të kapitaleve nga ana e sipërmarrësit masiv. Po kështu, mund të shtohet se kjo vjen sepse, pas rënies së komunizmit, ndërmarrjet e mëdha industriale, atje ku formohet kryesisht kolektivi punonjës, si grup profesional që i injoron lidhjet e gjakut, u shpërbënë pothuajse krejtësisht. Ndërkaq, pjesa dërmuese e ekonomisë kombëtare mbështetet në një pasuri të patundshme, që në fakt është pjesë e hapësirës intime, private të familjes shqiptare. Restoranti, kafeneja, lokali i shërbimeve, dyqani i vogël, kioska në shumë raste ngrihen mbi sipërfaqe, të cilat janë pjesë e oborreve të shtëpive, e banesave apo e truallit që dikur ka pas shërbyer thjesht si hapësirë e jetës private të familjes. Është kjo arsyeja që i bën shumë rezistente këto forma parakapitaliste dhe që i ngjajnë disa marrëdhënieve tregtare të periudhave gjysmëfeudale. Për infrastrukturën e tyre në formë lokalesh, sipërmarrësit nuk paguajnë pothuajse asgjë. Ata janë si të thuash në shtëpinë e tyre.
Po le t’i kthehemi më nga afër temës sonë. Ku qendron parakapitalizmi dhe rifeudalizimi i shoqërisë këtu?
Në radhë të parë, sepse në tregun e sotëm dhe të mirëfilltë kapitalist lidhjet ekonomike i përjashtojnë lidhjet e gjakut. Individët njihen midis tyre si subjekte, që ndjekin thjesht logjikën e tregut, pa pasur asnjë lloj lidhjeje shpirtërore familjare midis tyre. Kurse te ne, në një masë të konsiderueshme, çka përbën një të dhënë shumë interesante, ka një ndarje pune brenda çdo biznesi të vogël dhe masiv që në fakt i përgjigjet ndarjes së roleve midis anëtarëve të një familjeje.
Në shumë raste, burri është i preokupuar për të siguruar lidhjet e jashtme të biznesit familjar. Është ai që merret me llogaritë e përgjithshme dhe me strategjitë financiare të ekonomisë familjare, është ai që mban lidhje me mbledhësit e taksave dhe me nëpunësit e shtetit. Edhe ryshfetet, nëse është nevoja, është ai që i paguan. Së bashku me djalin ose me djemtë, burri kryen edhe furnizmin e ekonomisë së tij famlijare me mallra nga tregu. Zgjedh mishin për restorantin, blen në treg me shumicë mallra me çmim më të lirë për të furnizuar dyqanin e tij në lagje, blen miellin për bukën që prodhon në furrën e tij etj. Ndërkaq, gruaja dhe vajza, paraqiten më shumë si shitëse, si pastruese të lokalit dhe mbajnë llogaritë ditore. Puna e tyre realizohet më shumë brenda lokalit sesa jashtë tij. Në të gjithë këtë marrëdhënie ekonomike, ato kanë pranuar të ndihen si «violina» të dyta, duke shërbyer si ndihmëse të burrave të tyre që konsiderohen në fakt, sepse de jure shpesh nuk janë, si pronarë të ekonomive, për të cilat po flasim. Tani, realisht, gruaja, që tradicionalisht ka pasur një rol dytësor në hierarkinë shoqërore familjare, ka marrë një rol dytësor edhe në funksionimin ekonomik të shoqërisë, çka është karakteristikë për ekonomitë parakapitaliste dhe gjysmëfeudale dhe jo për shoqëritë e sotme të zhvilluara.
Zbehja e hapësirave publike si rigjysmëfeudalizim
Edhe nga pikëpamja hapësinore, kemi një farë rikthimi në logjikat parakapitaliste dhe gjysmëfeudale të administrimit të vendit të punës dhe të banimit. Në periudhat parakapitaliste dhe gjysmëfeudale, vendi i punës dhe i banimit i njerëzve në fakt përbënin të njëjtin vend, ndodheshin në të njëjtin vend. Nuk kishte dallime midis tyre. Edhe feudali, edhe zejtari, edhe tregtari, edhe bujku në fakt punonin aty ku jetonin dhe jetonin aty ku punonin. Midis hapësirës private të familjes dhe hapësirës kolektive të prodhimit nuk kishte ndonjë dallim, apo ndonjë distancë hapësinore. Kjo shpjegon se përse në këto periudha parakapitaliste gjysmëfeudale hapësira publike e shoqërisë ka qenë shumë e ngushtë dhe e pazhvilluar. Marrëdhëniet e përgjithshme shoqërore, kulturore, politike që dilnin jashtë sferës së familjes për të ndërtuar opinionin publik të shoqërisë ishin fare në embrion.
Në fazën kapitaliste të mirëfilltë ndodh një revolucion hapësinor, që në fakt i paraprin të gjitha ndryshimeve të tjera. Ndodh diçka që kryhet si pa u kuptuar, por që transformon të gjithë fushën e marrëdhënieve shoqërore. Ndahet vendi i punës nga vendi i banimit sepse familja është gjithmonë e më pak vendi ku prodhohet. Në shtëpi njeriu jeton, por nuk kryen më veprimtari ekonomike, të cilat në fakt realizohen tashmë në mënyrë moderne në kolektiva punonjëse pa lidhje gjaku midis tyre. Në histori kanë dalë fabrika, uzina dhe ndërmarrja e mirëfilltë kapitaliste. Kjo prirje mbizotëron edhe sot në Perëndim.
Kurse ndër ne, pas një periudhe ku individi e konsideronte të ndarë vendin e jetesës nga vendi i punës, tani në kohën e paskomunizmit, subjekti ekonomik në një masë të madhe jo vetëm që organizohet në bazë të lidhjeve familjare, por edhe ka prirje ta ribashkojë primitivisht hapësirën e banimit me atë të veprimtarisë ekonomike. Për rrjedhojë, midis hapësirës private dhe intime të familjes dhe hapësirës ekonomike të profesionit dhe sipërmarrjes ekonomike ka shumë më pak hapësira publike ndërmjetëse sesa më parë. Sidomos gruaja, por edhe burri, vajza, por edhe djali, nuk kanë nevojë të shfaqen në hapësirën publike të shoqërisë, në art, në kulturë, në politikë, në jetën sindikale, në debatin e ideve, sepse kjo hapësirë publike bëhet fatkeqësisht e panevojsshme, për shkak se kryhet një mbivendosje parakapitaliste dhe rifeudaliste midis hapësirës familjare dhe hapësirës së vendit të punës.
Për pasojë, lidhjet familjare humbasin gjithnjë e më shumë intimitetin dhe çinteresimin idilik dhe marrin një natyrë marrëdhëniesh interesi midis aktorësh ekonomikë ose partnerësh në biznes, duke e lënë disi fare të zbehur natyrën e painteresuar të lidhjes së mirëfilltë martesore, lidhjes midis prindërve dhe fëmijëve dhe midis vetë vëllezërve dhe motrave. Është thjesht dhe pothuajse vetëm interesi ekonomik dhe material që ngjiz në fakt atë që në sipërfaqe duket si një lidhje thjesht familjare. Nga ana tjetër, janë solidaritetet familjare, që në fakt nuk përbëjnë tashmë veçse lidhje ekonomiko–domestike, të cilat zëvendësojnë lidhjet politike, kulturore, sindikale – karakteristikë e shoqërive të zhvilluara kapitaliste. Aktorët ekonomikë e gjejnë identitetin e tyre shoqëror në lidhjet e tyre të gjakut dhe jo aq shumë në politikë. Vetë politika nis të shprehë gjithnjë e më shumë vetveten dhe gjithnjë e më pak interesa të grupeve të ndryshme shoqërorë dhe ekonomikë.
Parakapitalizimi dhe çmonetarizimi i marrëdhënieve të shpërblimit
Bie numri i të punësuarve, jo vetëm për shkak të treguesve shumë të lartë të papunësisë, por edhe për faktin se pjesa ndofta dërmuese e atyre, që punojnë nuk janë të punësuar me rrogë. Ka shumë më pak punëtorë të paguar me rrogë se më parë, sepse tashmë gruaja, djali, vajza, krushka, tezja, nipi, vajza e hallës, që punojnë si punëtorë në një sipërmarrje shqiptare: lokal; kafene, dyqan, motel, në fakt e konsiderojnë veten se kontribuojnë brenda një veprimtarie familjare, një prone të përbashkët, të ardhurat e së cilës do t’i gëzojnë bashkarisht, do t’i konsumojnë bashkarisht, ose do t’i trashëgojnë bashkarisht. Edhe vetë kryefamiljari – kryesisht burrë – nuk e paguan veten e tij, sepse ndihet zot në pronë të vet dhe i duket si pa shumë kuptim të paguajë vetveten.
Në këtë kuptim, vetë koncepti «punëtor i paguar me rrogë», vetë koncepti i «rrogës» kanë humbur shumë terren në ekonominë e sotme shqiptare, e cila njeh një prirje të fortë çmonetarizmi dhe pagesash e shkëmbimesh në natyrë dhe në formë troku. Në shumë biznese nuk ka më komunikim midis punëdhënësit dhe punëmarrësit, por marrëdhënie ekonomike të turbullta midis familjarësh të ndryshëm, që kryejnë role të caktuara ekonomikë dhe profesionalë, duke u shpërblyer në forma parakapitaliste apo gjysmëfeudale, pra sipas nevojave, sipas vullnetit të prindërve, sipas kushteve të vetë gjendjes së biznesit familjar etj. Për rrjedhojë edhe marrëdhënia mall–parà në shpërblimin e punës pëson një tkurrje të fuqishme në krahasim me periudhën e mëparshme të ekonomisë socialiste, s’krahasohet dot fare me nivelet e saj në kapitalizmin e zhvilluar dhe i ngjason më tepër një gjendjeje parakapitaliste dhe gjysmëfeudale.
Rigjysmëfeudalizimi i funksioneve administrative dhe politike
Po kështu mund të thuhet se një proces parakapitalizimi dhe rifeudalizmi ndihet i fuqishëm edhe në marrëdhënien që është krijuar nëpërmjet sektorëve të ndryshëm të administratës publike apo pushtetit lokal dhe qarkullimit të vlerave ekonomike. Nga kjo pikëpamje, të gjithë kanë përvojën e hidhur se një numër shumë i madh veprimesh administrative kryhen në një ambient korrupsioni dhe ryshfetesh, që gojët e popullit thonë se arrijnë shpesh edhe në shifra kolosale. Paguhet nën dorë jo vetëm për shërbime ndaj personave të veçantë fizikë, por edhe për të ulur taksat që do të paguhen, për të marrë licensa të ndryshme, për të zënë vende pune në administratë, për të fituar lehtësira të ndryshme administrative në të mirë të bizneseve private etj.
Administratorë dhe politikanë të ndryshëm kujtojnë se këto aspekte të errëta të funksionimit të segmenteve të ndryshëm të administratës bëhen në fshehtësi, në konfidencë, larg syve të publikut, në formën e marrëdhënieve midis xhentëlmenëve parakapitalistë dhe gjysmëfeudalë, pa u marrë vesh nga turma e të paditurve, por e gjithë kjo nuk është veçse një iluzion.
Lajmi ka marrë dhenë.
Duhet të jesh shurdh për të mos e dëgjuar dhe memec për të mos e folur.
Është përhapur gjithandej, duke formuar një ndërgjegje kolektive në formën e një bashkësie ndërindividuale përvojash të hidhura, ku ryshfeti dhe sjellja korruptive e administratorëve të ndryshëm flitet hapur dhe pa ndroje gjithandej: nëpër taksi, në furgona, në autobusë, në salla pritjesh për të kryer shërbime të ndryshme në sektorin e shërbimeve publike, në kulisa privatizimesh, nëpër shkallë pallatesh të godinave, që ende nuk kanë mbaruar së ndërtuari si karabina mbi sheshet e ndërtimit, në dyqane lagjesh, ku shitësit presin me ankth nëpunësin e taksave, të matjes së energjisë elektrike të harxhuar, të kolaudimit të peshoreve, atje nëpër rrugë e trotuare, ku flitet përditë se kujt i përket një dyqan i xhamtë i ngritur si pykë midis pallatesh, pa respektuar asnjë plan urbanistik, se kujt i përket një hotel apo një bllok ndërtimesh.
Procesi i rifeudalizimit të administratës kryhet pa u ndalur.
Në çfarë kuptimi?
Thjesht në kuptimin që ka marrë jo pak herë roli i administratorit shtetëror në shoqëri. Në periudhat parakapitaliste dhe gjysmëfeudale, nëpunësi shtetëror, pronari dhe zotëruesi i pasurive të paluajtshme të hapësirave të ndodhura nën kontrollin e tij administrativ përfaqësonin të njëjtin njeri fizik. Ishte fisniku lokal ai që jepte drejtësi, merrte masa administrative, drejtonte punimet, zotëronte të drejtat e pronësisë, përbënte fuqinë pasurore më të madhe të domenit të vet, lejonte ose pengonte veprimtarinë ekonomike të aktorëve të tjerë shoqërorë, që ndodheshin nën juridiksionin e tij, merrte vendime të ndryshme politike, ishte shefi i administratës, që e komandonte edhe teknikisht edhe politikisht, pra përbënte thjesht gjithçka, bënte edhe shiun edhe kohën e mirë, edhe diellin edhe erën, edhe breshërin edhe puhizën pjalmëzuese të luleve.
Në kohën e revolucioneve, që përmbysën regjimet e vjetra feudale, përfundoi edhe ky konceptim parakapitalist dhe gjysmëfeudal i rolit të administratorit publik. Parimisht, por gjithnjë e më tepër, edhe praktikisht funksionari administrativ, njeriu politik, nuk është më edhe më i fuqishmi nga pikëpamja ekonomike dhe nuk ka më mundësi ta kryejë atë që quhet privatizim të funksionit të tij administrativ duke e kthyer nga një post i hapur për t’i shërbyer publikut në një post të blerë me parà dhe të përdorur për të nxjerrë parà, për të bërë pasuri, për të shpërndarë privilegje ekonomike dhe për të vjelë benefice financiare në shkëmbim të shërbimeve administrative të privilegjuara për qendra të ndryshme të interesit.
Por, tek ne, nisur nga një marrëdhënie shpesh herë e përçudnuar e posteve administrative dhe politike në segmente të ndryshme të pushtetit me botën e pasurisë dhe të parasë, në kushtet e një logjike ryshfeti të përhapur tej mase, duket se ka një rikthim të periudhave, ku posti administrativ ishte edhe një mekanizëm që prodhonte parà dhe pasuri, ishte një post i blerë, pasi ishte vend në ankand nga mbreti, nga fisniku, apo nga bashkësia e qytetarëve të lirë, e paraborgjezëve të lagjeve të zonave urbane. Këta të fundit, pasi kërkonin pjesën e tyre për të mbushur buxhetin, me të cilin funksiononin, pjesën tjetër ia linin administratorit, të cilit i kishin shitur apo dhënë me qira postin në formë rrogash dhe përfitimesh për vete dhe për vartësit e tij. Dallimi i vetëm është se në ato kohë parakapitaliste dhe feudale kjo procedurë ishte fare legale dhe në përputhje me rregullat e kohës, kurse tani ndër ne ajo nuk është veçse pjesë e një bote poshtëligjore, që vjen në kundërshtim me kulturën ligjore sunduese të kohës.