Xhaferri: “Kuvendi, i hapur deri më 29 maj”
Komisioni Hetimor Parlamentar për kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama, do t’i vazhdojë punimet deri më 29 maj, që sipas kryetarit të këtij komisioni, Ferdinand Xhaferri, është dhe data e fundit e mbylljes së Kuvendit. Gjatë mbledhjes së djeshme së këtij komisioni ishte i pranishëm anëtari i KRRT-së së Tiranës, njëkohësisht sekretar i Përgjithshëm i MPPTT-së, Sokol Leka, i cili e informoi Komisionin për praktikat e ndjekura nga Bashkia e kryeqytetit në dhënien e lejeve të ndërtimit. “KRRT-ja nuk është organi që realisht jep lejet e ndërtimit, pasi më parë ato do të kalojnë në Këshillin Teknik të Bashkisë së Tiranës, i cili përbëhet nga punonjës të saj dhe është në tërësi në varësi të këtij institucioni. Çdo lloj dokumenti që vjen në KRRT paraprakisht seleksionohet në Këshillin Teknik dhe KRRT-ja merr në shqyrtim vetëm ato çështje që i sillen për shqyrtim. Ajo nuk mund të shqyrtojë çështje që janë në Këshillin Teknik”, - sqaroi Leka. Sipas tij, “KRRT-ja funksionon në bazë të besueshmërisë së Këshillit Teknik, i cili ka për detyrë të verifikojë të gjithë dokumentacionin e kërkesave për leje ndërtimi”.
Në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, ku opozita nuk merr pjesë, kryetari i tij, Ferdinand Xhaferri, publikoi për mediat pasqyrën e vendimeve të miratuara nga KRRT-ja në mbledhjen e 17 prillit, ku nga 30 leje ndërtimi, 19 i kanë kaluar studios “ATELIER 4”, të Alban Eftimit, ish-kryetar i urbanistikës në Bashkinë Tiranë dhe aktualisht përfaqësues i kryebashkiakut në këtë këshill. Eftimi nuk u paraqit dje në seancën dëgjimore në Komisionin hetimor ku ishte thirrur zyrtarisht për të raportuar mbi praktikat e ndjekura nga Bashkia në dhënien e lejeve të ndërtimit.
13 Maj 2009