E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS-ja denoncon abuzimet me faturat e energjisë

Nënsekretari socialist për programin politik, Ilir Beqja, denoncoi dje publikisht abuzimet me faturat e energjisë elektrike. "Ashtu si edhe para shtatë muajsh, vjedhjen e përsëritur që i bëhet familjeve shqiptare nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Këtë vjedhje bënte edhe KESH-i para shtatë muajsh", theksoi Beqja. Sipas faturave të muajit tetor, sqaroi ai, periudha e faturimit nuk është 30 ditë, por 36 ditë, duke rritur në mënyrë abuzive pjesën e konsumit mujor mbi 300 kilovat. "Pra, për çdo kilovat të konsumuar në gjashtë ditët e fundit të periudhës së faturimit, OSSH ka grabitur familjet shqiptare me 5 lekë, ndërsa administrata tatimore ka grabitur familjet shqiptare me 1 lek Tatim mbi Vlerën e Shtuar", u shpreh Beqja. PS-ja vlerëson se ky veprim i përsëritur është shprehje e qartë e sjelljes korruptive dhe abuzive, që qeveria e Kryeministrit Berisha ka instaluar këta 40 muaj. "Paaftësinë qeverisëse për të administruar si duhet vjeljen e detyrimeve të energjisë elektrike, Kryeministri kërkon ta mbulojë duke rënduar pa të drejtë buxhetet e familjeve shqiptare", vijoi Beqja. Në emër të Partisë Socialiste, ai kërkoi që qeveria e Kryeministrit Berisha të ndërpresë grabitjen e familjeve shqiptare. "Kërkojmë sot që Enti Rregullator i Energjisë të garantojë zbatimin e përpiktë të vendimeve të tij", tha ai. Teksa përsëriti ftesën që institucioni i prokurorisë të fillojë kryesisht hetimin e kësaj vjedhjeje shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›