Meta takim me NDI për zgjedhjet

20/04/2005 Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë takimit me drejtorin e Institutit Demokratik Kombëtar të SHBA për Evropën Qëndrore dhe Lindore, Robert Benjamin, e ka njohur me klimën elektorale të vendit tonë në këto muaj parazgjedhore. Meta e ka cilësuar situatën politike në vend aspak premtuese dhe komprometuese për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme sipas standardeve evropiane. Sipas tij, “kjo vjen nga mungesa e dëshirës për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme”. Përpjekjet e PS-së dhe partive të tjera për organizimin e një “Dushku të madh” u quajtën të paligjshme dhe të pamoralshme nga Meta. Gjithashtu, kreu i LSI-së ka siguruar drejtorin e NDI se, “pavarësisht nga papërgjegjshmëria dhe mungesës së garancive nga ana e qeverisë për të zhvilluar një proces normal zgjedhor, siç e kërkon procesi i integrimit të vendit, anëtarët e LSI-së, simpatizantët e saj, por edhe gjithë populli shqiptar, nuk do të lejojnë që këtë herë të preket vota dhe vullneti i tyre”, tha Meta. Ai ka falenderuar drejtorin e NDI-së për kontributin që ky institucion ka dhënë në forcimin e demokracisë në Shqipëri. Gjithashtu kreu i LSI-së ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm midis NDI dhe forcës së tij politike në mënyrë të veçantë, gjatë procesit të zgjedhjeve të brendshme, duke aplikuar parimin “një anëtar, një votë”.