E Diel, 1 Nëntor 2026

Të përjashtuarit, presion PS-së

20/04/2005  Xhani dhe Pepa replikojnë mbi vendimin e Kryesisë për t'i lënë hapësira të rinjve

“Sado të suksesshëm të kenë qenë, nuk mund të krahasohen me ata që kanë dhënë shumë për PS-në"

Hartimi paraprak i listës së kandidatëve për deputetë nga Kryesia e Partisë Socialiste ka sjellë reagime të forta nga deputetët aktualë, të cilët nuk janë përfshirë në të. Mbi 15 deputetë aktualë nuk do të rikandidojnë në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere, të paktën nën siglën e PS-së. Një ditë pas mbledhjes së Kryesisë, disa prej figurave të PS-së e kanë cilësuar të nxituar vendimin e forumit të lartë drejtues, pasi, sipas tyre, kontributet që kanë dhënë për PS-së janë çmuar dhe gëzojnë integritet moral dhe politik për të qenë sërish pjesë e kandidimit. Të pakënaqurit nga zëvendësimi që iu bë me emra të rinj, nuk kanë ngurruar të sulmojnë të sapoemëruarit, duke i cilësuar si të pasprovuar me jetën politike të vendit.

Ndërkohë, disa prej deputetëve aktualë shprehen të gatshëm për të kandiduar si të pavarur ose dhe nën siglën e ndonjë partie tjetër.

Reagimi

Deputeti i PS-së, Zydi Pepa, tha se “nuk mund të komentoj vendimet që marrin forumet e PS-së, sepse ajo është e drejta e tyre, ashtu sikurse edhe unë kam të drejtën time për të kandiduar, e cila është e pamohueshme, sepse është e drejtë kushtetuese dhe për hirë të së vërtetës kam shumë oferta për të kandiduar”. Gjithashtu, Pepa ka sulmuar dhe emrat e rinj, që PS-ja ka ofruar për këto zgjedhje, duke i cilësuar si inferiorë, në krahasim me figurat aktuale, që njihen për vlerat që kanë ofruar. “Nuk ndjehem i konkurruar nga të rinjtë, që kanë ardhur dhe as që pranoj që ta vë veten në garë me të rinjtë, sepse Kuvendi i Shqipërisë nuk është arenë sportive. Në Kuvend duhet të vinë njerëz që kanë krijuar autoritetin dhe që përfaqësojnë diçka në opinonin shoqëror dhe atë politikë”, tha Pepa. Më ironik në reagim ka qenë ish-ministri i Shëndetësisë, Mustafa Xhani. Ai tha se, “kandidaturat e reja janë një bërthamë, që është përgjegjësia e partisë për ta krijuar këtë bërthamë dhe pastaj duhet ripërtëritur. Disa prej tyre kanë qenë nja katër vjet drejtora dhe dalin deputetë, sado të suksesshëm të kenë qenë, nuk mund të krahasohen me ata që kanë dhënë shumë për PS-në, që kanë një jetë të tërë që i japin popullit. Le t'i provojmë dhe të rinjtë, unë u uroj sukses atyre”.

Përgjigjja

Zëdhënësi politik i PS-së, Gjergji Koja, ka komentuar vendimin e Kryesisë së PS-së si të drejtë. Duke dalë në mbrojtje të kandidatëve të rinj, Koja e ka cilësuar largimin e disa prej deputetëve aktualë nga lista e kandidimit si një “mekanizëm të nevojshm për të verifikuar konfliktin e interesave të të gjitha kandidaturave për deputetë, kjo jo vetëm në PS, por në të gjitha partitë që do të marrin pjesë në zgjedhje” tha Koja.

Ndërkohë, dje lista e 100 kandidatëve të PS-së është shpërndarë në strukturat e bazës socialiste për t'u pajisur me sygjerimet dhe vërejtjet e mundshme nga këto struktura. Gjatë ditëve në vazhdim të gjithë kandidatët duhet të plotësojnë një dokumentacion, ku të vërtetohet “pastëria” e figurës së tyre.Zydi Pepa

Nuk kam ndonjë shprehje pakënaqësie, dhe nuk mendoj se do hakmerrem. Kjo është çështje e çdo personi duke filluar nga lart poshtë. Nuk ndjehem i konkurruar nga të rinjtë që kanë ardhur dhe as që pranoj që ta vë veten në garë, sepse Kuvendi i Shqipërisë nuk është arenë sportive.

Bardhyl Agasi

Unë jam i sigurtë, sepse jam një nga deputetët më me stazh, por parlamenti ka nevoj edhe për të tjerë, dhe për të rinj. Ne duhet të japim shembullin se nuk duhet të mbesi po ai parlament. Në këtë rast, unë jam i bindur se po bëj mirë edhe për të tjerët, që po vinë dhe që po shtohen.

Mustafa Xhani

Disa prej figurave të reja, që i janë afruar PS-së, kanë qenë nja katër vjet drejtora dhe dalin deputetë, sado të suksesshëm të kenë qenë, nuk mund të krahasohen me Zydi Pepën apo me Vath Koreshin, që kanë një jetë të tërë që i japin popullit. Le t'i provojmë dhe të rinjtë, unë i uroj sukses atyre.

Gjergji Koja

Çështja e konfliktit të interesave, apo pastërtisë së figurës së kandidatit, nuk është hera e parë që diskutohet. Gjithmonë në fushata është ngritur ky problem dhe besoj se ekzistojnë të gjithë mekanizmat ligjorë për të vërtetuar pasurinë apo konfliktin e interesave të kandidatëve, apo pastërtinë e figurës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›