Meta, takime në Elbasan, shpërndan 250 tesera të reja
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të Lëvizjes Rinore për Integrim të qytetit të Elbasanit. Pasi mori pjesë në takimin në formë dialogu të zhvilluar nga Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës, lideri i LSI-së u ndal më pas në një takim me LRI-në e qytetit të Elbasanit. E veçantë e këtij takimi me të rinjtë ishte shpërndarja e 250 teserave për anëtarësime të reja në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Gjatë këtij takimi të zhvilluar me LRI, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim mbajti fjalën e rastit, ku u ndal në pozicionin që të rinjtë duhet të mbajnë në pozicion me të ardhmen e tyre dhe të vendit në tërësi. Meta, përveçse ftoi të rinjtë e Elbasanit që të marrin pjesë në Lëvizjen Rinore për Integrim, i ftoi gjithashtu që ata të jenë pjesë e vendimmarrjeve publike. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk iu shmang në fjalimin e tij as situatës politike në të cilën gjendet vendi. Meta ka komentuar ato çka i cilëson ndryshime të ndodhura në Kushtetutë, që lidhen me politikën e mbrapshtë të Sali Berishës. Meta vlerësoi se rinia shqiptare është sovrane për të vendosur mbi të ardhmen e saj dhe të vendit dhe kështu ajo nuk pajtohet me politikën e mbrapshtë të Sali Berishës. Në takimet e mëparshme në qytet, funksionarët e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës janë ndalur te rëndësia e bashkimit të fuqive kundër asaj çka u miratua në Kuvend natën e 21 prillit. I pranishëm në takimin e Metës me të rinjtë ishte dhe sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Rinore për Integrim, Besjan Pesha. Angazhimi i të rinjve në LRI, nënvizoi ai, do të jetë kontrata e suksesit për fitoren e Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të zhvillohen në vitin 2009. Lëvizja Rinore për Integrim ka qenë gjithmonë aktive në veprimtarinë e saj dhe ka zhvilluar takime organizative në rrethe të ndryshme të vendit, ku qëllimi ka qenë thithja e anëtarësimeve të reja dhe rifreskimi i strukturave. Të pranishmit në takim kanë vënë në dukje faktin se çdo ditë e më shumë të rinj nga të katër anët e vendit anëtarësohen në Lëvizjen Rinore për Integrim, duke parë te kjo e fundit shpresën për një të ardhme më të mirë.