PD, "OK" me Ramën: Imuniteti, bashkë me drejtësinë
Vazhdon bashkëpunimi PD-PS për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Partia Demokratike ia beson kreut të PS-së, Edi Rama, çështjen e heqjes së imunitetit të deputetëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha dje se nisma ligjore e kufizimit të imunitetit do të kalojë në Parlament si pjesë e Paktit Kombëtar për Drejtësinë të propozuar nga Partia Socialiste. Në kampin rozë konfirmohet gjithashtu se brenda një kohe të shkurtër të gjithë do të jenë pa imunitet. Mazhoranca, është e gjitha pro heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut. Kryeministri Sali Berisha ka ritheksuar disa ditë më parë se i qëndron plotësisht divizës së hapjes rrugë të hetimit nga prokuroria për heqje të imunitetit të çdo zyrtari të lartë. "Vetëm deklaratat politike të deputetëve nuk mund të hetohen, ndërsa për pjesën tjetër, prokuroria ka fushë të lirë veprimi". Kështu është shprehur kreu i qeverisë duke garantuar se mazhoranca do të votojë çdo kërkesë të prokurorisë për heqje imuniteti. Duke marrë shembuj edhe nga praktika amerikane, Berisha ka theksuar se edhe kongresmenët apo senatorët amerikanë nuk kanë imunitet, përveç fjalës që mbajnë në platformën e Senatit dhe Kongresit. "Standardi i kësaj mazhorance është; përgjigje çdo kërkese të prokurorisë, përveçse atyre që janë politike. Besoj se edhe opozita t‘i bashkohet qëndrimit tonë", tha ai. Mazhoranca citon si zgjidhjen më të drejtë atë të heqjes së imuniteteve të të gjithë ligjvënësve, në mënyrë që të mos pengohet asnjë hetim i iniciuar nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me dyshimet që ajo ka në adresë të të zgjedhurve nga vota e popullit. Imuniteti, aktualisht pengon Prokurorinë e Përgjithshme të nisë procedurat për ndjekje penale dhe në këtë mënyrë pengon edhe vazhdimin e hetimeve për ngjarjen që tronditi vendin më 15 mars. Që në vitin 2005, PD ka kërkuar heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët, duke e konsideruar këtë si zgjidhjen më të mirë. PD kërkon që politikanët të mos i njohin më vetes imunitet.