E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Të ndryshojë qeveria

Në selinë blu është rikthyer në rendin e ditës çështja "ndryshime në qeveri", e cila u arkivua për ca kohë në sirtarë, si pasojë e Gërdecit dhe marrjes së ftesës në NATO. Një pjesë e deputetëve të PD-së, pas miratimit të paketës kushtetuese, i kanë kërkuar Kryeministrit që të rikthejë në rend të ditës kërkesën që ata i kanë bërë prej kohësh. Kërkesat "undergraund" të grupimeve brenda PD-së janë pro shkarkimit të ministrave të korruptuar. Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, por edhe ministri të tjera të kabinetit Berisha, janë nën shënjestrën e demokratëve, të cilët akuzojnë për korrupsion.

Qëndrimi i deputetëve

Deputetët e PD-së zgjohen nga gjumi dhe kërkojnë ndryshime brenda kabinetit, si penalizim që deri tani është abuzuar me detyrën nga disa ministra. "Të them të vërtetën, abuzime ka në shumë sektorë. Unë po flas për ato që di dhe për ato që mund të vërtetoj në pamjen e një deputeti dhe jo të një prokurori", shprehet Preç Zogaj. Deputeti i PD-së denoncon abuzimet që po bëhen në sektorin e shëndetësisë.

"Ryshfeti në shëndetësi është rritur. Ka hyrë një frymë tjetër, një frymë ryshfeti. Ne mundohemi t‘i kapim, por ndonjëherë është vetë fryma e përgjithshme që mundëson raste të tilla", tha ai. Duke shtuar se qeveria ka arritur suksese të mëdha në luftën ndaj kontrabandës, Zogaj u shpreh se "tashmë ka korrektësi më të madhe në tendera, por ka edhe që përfitohen të paracaktuara. Për herë të parë po them që në Drejtorinë e Rrugëve ka një rast tenderi që kam denoncuar dhe kam kërkuar që të verifikohet, por nuk kam marrë përgjigje akoma". Një tjetër deputet brenda PD-së, njëkohësisht ish-ministër i kabinetit "Berisha", Bujar Leskaj, pohon se "shfaqet një diskordancë mes ideve dhe veprimeve të Kryeministrit me ato të ministrave të veçantë, të cilët i bëjnë këto veprime nga padija, apo edhe nga papjekuria politike". Duke paraqitur dy referime të kundërta, mbi të cilat duhet të bazohen këto ndryshime, Leskaj u shpreh se "nëse do merrnin si sistem referimi të gjitha sistemet socialiste që nga koha e Adil Çarçanit e deri më sot, padyshim që qeveria "Berisha" është më e mira, por nëse i referohemi staturës së liderit të PD-së, vlerave të produktit të tij në këto 18 vjet, premtimeve të zgjedhjeve të 2005-ës, padyshim që qeveria duhet të ndryshojë". Leskaj ka theksuar se Kryeministri Berisha ose duhet të ndryshojë të qeverisë, ose duhet të ndryshojë qëndrimin. "Ai kërkon të fitojë zgjedhjet e 2009-ës dhe ka për t‘i bërë ndryshimet", tha Leskaj, i cili shtoi se këto ndryshime nuk duhen bërë nën presionin e aleatëve, që kanë kërkesa të pakuptimta, por as nën atë të vetë deputetëve të PD-së. Deputeti i PD-së, Edi Paloka, akuzon ekzekutivin se është shkëputur nga baza e partisë dhe vetë deputetët demokratë. Ai thekson se qeverisja e djathtë i ka harruar militantët e saj. Paloka shprehet gjithashtu edhe për një mosfunksionim të partisë, në kohën kur disa deputetë të PD-së kanë marrë edhe poste ministrore, ndërkohë që, nga ana tjetër, kanë edhe poste partiake. Nisur nga kjo, Paloka thekson se është e domosdoshme ndarja e posteve partiake nga ato ekzekutive. Po kështu, deputeti i PD-së jep mendimin se qeveria do të ishte më efikase sikur të rritej numri i ministrive dhe të kryhej një riorganizim i ri. Edhe deputeti Aleksandër Biberaj shprehet pro ndryshimeve në qeveri, duke e lënë këtë çështje në dorë të Kryeministrit Berisha, por duke kërkuar nga ana tjetër edhe më shumë poste për PD-në në ekzekutiv. Deputeti Luan Skuqi shprehet se "kur një fëmijë lind nga shumë duar mamish, atëherë ai del çyryk. Ne nuk duam një qeveri të tillë, prandaj ia lëmë ekskluzivitetin e këtij problemi vetëm Kryeministrit Berisha. Qeveria e re është tashmë një çështje kohe, pasi synimi i Kryeministrit është fitimi i zgjedhjeve të 2009-ës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›