E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha kopjoi turin tonë

Edi Rama e cilëson turin e Kryeministrit Sali Berisha në vend si kopje e shëmtuar e "Dialog me Shqipërinë". Kreu i Partisë Socialiste ishte dje pjesëmarrës në një takim me të rinjtë e qytetit të Durrësit. Ai shprehu keqardhje që pas tre vitesh mandati qeverisës, Berisha fshihet pas flamurit të NATO-s, që është një arritje e gjithë popullit dhe ende nuk ka asnjë arritje të qeverisë së tij. "Pa dyshim, sot është gjithmonë e më e dukshme, për ditë e më e dukshme, paaftësia e plotë e një qeverie që u krijua ndër të tjera edhe për t‘i hapur rinisë hapësira të reja", u shpreh Rama. Për më tepër, turi i Kryeministrit, në vlerësimin e liderit të opozitës është edhe një shfaqje realisht e trishtuar, pasi ky është një Kryeministër që po mbyll vitin e tretë të mandatit të tij dhe nuk është një Kryeministër nga i cili sot shqiptarët dhe shqiptaret presin premtime të reja. "Por një Kryeministër nga i cili sot qytetaret dhe qytetarët e vendit presin t‘u thotë, ku shkuan premtimet e vjetra?!", tha ai. Rama nënvizoi faktin se Kryeministri u bën të rejave dhe të rinjve premtime të reja, në atë sallë, ku u bënë mbledhjet e para kundër regjimit të vjetër dhe në të cilën, prej 17 vjetësh nuk është vënë dorë, duke iu referuar Qytetit Studenti. "Në atë sallë që thuajse po bie dhe nuk plotëson asnjë kusht për t‘u quajtur sallë e një qyteti universitar. Është për të ardhur keq, që sot Kryeministri, 3 vjet nga fillimi i punës së tij, fshihet pas flamurit të NATO-s", konstatoi Rama. Kryeministri, argumentoi kreu socialist, vazhdon të premtojë Shqipërinë që lundron në internet, ndërkohë që në Shqipëri sot e gjithë ditën nuk lundron asnjë varkë peshkimi dhe të rejat e të rinjtë, që mund të lundrojnë me internet, e kanë të pamundur të lundrojnë 24 orë, pasi pjesën më të madhe të kohës mungojnë dritat. "Nuk mund të humbim edhe 13 vjet të tjera, në rast se ne nuk ndërgjegjësohemi për nevojën që ta ndryshojmë këtë politikë të vjetër, duke i dhënë jetë një politike të re, e cila e ka bazën te vetëdija", tha Rama. Duke kërkuar një bashkim si qytetare dhe qytetarë, si shqiptare dhe shqiptarë, si pjesëtarë familjesh që e kanë përditë dhe me të vështirë të përballen me rritjen e çmimeve të ushqimit të përditshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›