E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta takon homologun austriask: Mbështetje për vizat

TIRANë- Zv. Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta u prit në një takim pune nga Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger.
Meta vuri në dukje se Shqipëria sapo ka dorëzuar përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit Evropian, për të cilat ka patur një angazhim të jashtëzakonshëm nga të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces.

Gjithashtu, z. Meta bëri një pasqyrë të arritjeve të Shqipërisë në kuadër të plotësimit të detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Z. Spindelegger vlerësoi se dorëzimi i Pyetësorit është një arritje e madhe dhe është përgatitur në kohë rekord. Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë vlerësoi progresin e prekshëm të Shqipërisë për realizimin e detyrimeve të Udhërrëfyesit dhe shprehu bindjen se së shpejti qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë pa viza në Evropë, duke garantuar mbështetjen e plotë dhe të fuqishme të Austrisë për këtë proces.

Z. Meta vlerësoi mbështetjen e madhe që Ministri Spindelegger në bashkëpunim me homologët e tij Grek dhe Slloven i kanë dhënë në përgjithësi integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Më tej, Ministrat Meta dhe Spindelegger diskutuan mbi situatën në rajon, dhe ndanë mendimin se Konferenca e Sarajevës do t’i japë një shtysë të fuqishme proceseve integruese per vendet e Ballkanit. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se edhe Kosova do të thellojë përparimin e saj në konsolidimin e institucioneve demokratike Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se Kosovës duhet t’i jepet sa më shpejt një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›