Meta takon kryeparlamentarin malazez, Ranko Krivokapiç

Tiranë, 10 shkurt, NOA - Ministri i Punëve të
Jashtme, Ilir Meta, priti sot në një takim kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi,
Ranko Krivokapiç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Lajmi
konfirmohet nga burime zyrtare të dikasterit të Jashtëm, sipas të cilëve gjatë
takimit në fjalë, të pranishmit diskutuan mbi forcimin e mëtejshëm të
bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, mbi
bashkëpunimin në kuadër të integrimit të përbashkët evropian si dhe mbi
zhvillimet në rajon.
Nga ana e tij, Meta theksoi se bashkëpunimi
midis dy vendeve tona përbën një model të shkëlqyer të marrëdhënieve të
fqinjësisë së mirë, duke shtuar se takimet në nivele të larta politike
nxisin thellimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.
Gjithashtu, Meta rikonfirmoi mbështetjen e
Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si dhe vlerësoi ecurinë e
procesit të integrimit evropian të Malit të Zi, duke shprehur kënaqësinë për
arritjen e liberalizimit të vizave me zonën shengen.
Nga ana e tij, kryetari i parlamentit të Malit
të Zi, Krivokapiç, theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të
mira dhe se ato shërbejnë si një model i vërtetë për vendet e tjera të rajonit.
Duke falënderuar për mbështetjen e Shqipërisë
për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, Krivokapiç theksoi
gatishmërinë e vendit të tij për të bashkëpunuar dhe shkëmbyer eksperiencë
reciproke në kuadër të integrimit evropian të të dy vendeve.
Në fund, Meta dhe Krivokapiç vlerësuan rolin
konstruktiv dhe kontributin e të dy vendeve në bashkëpunimin e
suksesshëm rajonal, si dhe shkëmbyen mendime për zhvillimet në rajon.
n.e/NOA